S’ka rrezik më nga zarfet që kanë ardhur nga Serbia – por numërimi do të vazhdojë me mbrojtje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se nuk ekziston rrezik i mëtetjmë nga procedimi i zarfeve të mbetura që kanë ardhur nga Serbia.

“Pas verifikimeve dhe kontrolleve nga organet kompetente të zhvilluara gjatë këtyre ditëve, sot është konstatuar se tashmë nuk ekziston rrezik i mëtejmë për procedimin e këtyre zarfeve të mbetur dhe nën masa të caktuara mbrojtëse, mund të procedohen më tutje”, thotë KQZ.

Procesi i numërimit të votave që kanë ardhur nga Serbia ka qenë ndërprerë me datën 13 tetor, për shkak të ankesave shëndetësore të zyrtarëve që kanë punuar me ato dhe dyshimeve për praninë e një materie të rrezikshme.

Prokuroria dhe Policia kanë filluar zhvillimin e hetimeve dhe kanë marrë provat dhe dëshmitë e nevojshme (material të dyshuara si të kontaminuara) dhe procesi i hetimeve është duke vazhduar.

“Përkundër komplikimeve që janë shfaqur gjatë këtij procesi, KQZ është e përkushtuar që ta ruajë integritetin e procesit zgjedhor, sigurinë e zyrtarëve operues dhe po ashtu edhe procesin e zbardhjes së këtij rasti”.

KQZ ka falënderuar organet kompetente për bashkëpunimin e ofruar gjatë kësaj kohe.

loading…