S’ka rregulla e as kritere konkrete që duhet plotësuar për të kandiduar si deputet

Kandidatë për kryeministra, deputetë dhe anëtarë të partive politike tashmë kanë nisur një para-fushatë zgjedhore.

Në takime me qytetarë por edhe në debate televizive ata po thumbojnë dhe akuzojnë kundërshtarët partiak.

Javën e kaluar anëtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi akuzoi Valdrin Ahmetin e Vetëvendosjes se po kandidon për deputet pa pasur kualifikim të lartë arsimor. Krasniqi tha se Ahmeti nuk ka as diplomë fakulteti.

Se a duhet pasur kualifikim të lart arsimor për të garuar për deputet, për lajmi.net kanë folur nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Artan Murati nga ky institut ka thënë për lajmi.net se listat zgjedhore të subjekteve politike në Kosovë kanë laramani e diversitet sa u përket profileve të kandidatëve.

“Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi garantojnë të drejtën për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur me arritjen e moshës madhore. Në këtë rast, është e drejtë e secilit individ që ka arritur moshën madhore që të kandidoj në listat e subjekteve politike apo si kandidat i pavarur për të fituar votat e qytetarëve. Në përgjithësi, subjektet politike hartojnë listat e kandidatëve me të cilat garojnë në zgjedhje, ku synohet t’u jepet hapësirë individëve me përgatitje të lartë profesionale. Përkundër këtij fakti, listat zgjedhore të subjekteve politike në Kosovë kanë laramani e diversitet sa u përket profileve të kandidatëve”, ka deklaruar Murati.

Sipas tij, edhe pse nuk ka rregulla e kritere konkrete të cilat duhet t’i plotësoj një individ për të kandiduar si deputet, secili subjekt politik do të duhej t’u ofronte qytetarëve njerëz të kualifikuar.

“Ndonëse nuk ka rregulla e kritere konkrete të cilat duhet t’i plotësoj një individ për tu kandiduar të garoj si deputet, megjithatë secili subjekt politik do të duhej t’u ofronte qytetarëve njerëz të kualifikuar, me përgatitje të duhur shkollore dhe me integritet të lartë moral e profesional. Nuk duhet të garoj askush që ka probleme me korrupsionin e krimin e organizuar, apo me çfarëdo lloj aktiviteti kriminal”, ka theksuar ai.

Murati ka shtuar se subjektet politike duhet që së paku të garantojnë këto parime bazë, në mënyrë që të krijojnë parakushte për institucione kredibile e funksionale pas zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 6 tetor. Në këtë zgjedhje garojnë pesë kandidatë për kryeministër të Kosovës. Të gjitha partitë këtë herë janë munduar të heqin nga listat kandidatë të cilët akuzohen për korrupsion.

loading…