S’ka respektim të masave, plot njerëz në Prevallë dhe Badovc FOTO

Në Gjakovë, Rahovec dhe Skenderaj, Policia e Kosovës raporton se gjatë 24 orëve të fundit, ka arrestuar persona që nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit dhe po ashtu ka mbyllur lokale.

Sipas raportit 24-orësh të policisë, në Gjakovë, në katër raste të ndara, janë arrestuar katër persona, të cilët kishin organizuar ahengje familjare.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Kosovës ka ndaluar të gjitha tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare private, si dhe grumbullimin e më shumë se pesë personave në sheshe publike, parqe e të tjera.

Mirëpo, duket se këto masa ende nuk po gjejnë respektim të plotë. Ballkani.info ka siguruar fotografi nga Prevalla ku shihet një numër i madh i qytetarëve të grumbulluar.

Aty shihen që qytetarët as nuk mbajnë distancë e as nuk kanë të vendosur maska. Po ashtu edhe në Badovc, në Liqenin e Badovcit, sot janë parë një numër i madh i qytetarëve të grumbulluar.

Sipas masave të reja, pishinave të hapura u është ndaluar aktiviteti, por kjo masë nuk vlen për pishinat e mbyllura, të cilat mund të punojnë, në përputhje me rekomandimet e Manualit të Ministrisë së Shëndetësisë për luftën kundër koronavirusit.

Ndërkaq, në Skenderaj, policia ka mbyllur dy lokale, pasi kishin punuar jashtë orarit të lejuar.

Sipas vendimit të qeverisë të datës 28 korrik, lokalet e gastronomisë e kanë të ndaluar që të punojnë pas orës 22:30 deri në orën 5:00. /Ballkani.info/