Lidhja Demokratike e Kosovës e ka shtyrë për të hënën nominimin e kandidatit për kryeministër për zgjedhjet e parakohshme.

Kjo pasi që për kandidat për kryeministër janë përmendur emrat e Vjosa Osmanit dhe Kujtim Shalës.

Në rast se nuk do të ketë konsensus në Kryesi të partisë të hënën për ndonjërin prej emrave, atëherë votimi do të kalojë në votim në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.

Po ashtu të hënën do të diskutohet edhe mundësia e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

Besian Mustafa nga LDK ka thënë se në mbledhjen e radhës do të diskutohet për koalicionin e mundshëm me Vetëvendosjen.

“Nuk do të kemi koalicion me PDK-në. Në mbledhjen e radhës do të diskutohet për çështjen e koalicionit të mundshëm me Vetëvendosjen. Posti i kryeministrit i takon partisë më të madhe. Janë hapur diskutimet për mandatarin e LDK-së, por këto do të mbyllen të hënën”, u shpreh Mustafa.

Mustafa ka shtuar se në LDK ka mjaft kandidat që janë të përgatitur për të marrë postin e kryeministrit.

“Për momentin i vetmi pozicion është se s’do të kemi koalicion me PDK-në, e po diskutojmë për koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së partisë nuk kanë marrë fare pjesë Lufti Haziri e Agim Veliu, pasi ata janë të pakënaqur me faktin që Vjosa Osmani pritet të nominohet për kandidate për kryeministre.

Ndërkohë ne mbledhjen e sotme, Arban Abrashi është caktuar Sekretar Organizativ i LDK’së. /Ballkani.info/

loading…