Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se çdo ditë dëgjon dëshira të njerëzve nga bota perëndimore që Serbia duhet t’i vazhdojë negociatat me Kosovën.

Ai ka thënë se nuk do të ketë vazhdon të dialogut derisa Prishtina mos t’i tërheqë masat ndaj mallrave serbe.

“Ne, në secilin moment jemi gati të flasim. Por si të flasim kur dikush pas 12 vjetësh të nënshkrimit të marrëveshjes CEFTA nuk do ta implementojë në terren, diçka që e kanë nënshkruar. Ku ta marr besimin kur ata shkelin secilën marrëveshje”, ka thënë Vuçiq për televizionin ‘Hepi’, transmeton Ballkani.info.

Ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, duke thënë se kjo nuk do të ndodh.

Shefi i shtetit serb ka thënë se Serbia ka bërë gjithçka që ta ndalojë një gjë të tillë.

“Por unë mund edhe të mos kem të drejtë. Ajo që dua t’u them qytetarëve të Serbisë është se do të luftojmë dhe se kemi bërë gjithçka që deri tek kjo të mos vijë”, ka thënë Vuçiqi.

“Nuk mund të them se do të jetë vendim i mirë, por shpresoj. Shpresoj që Kosova nuk do të jetë pjesë e Interpolit, sepse kemi bërë gjithçka që ta ndalojmë këtë. Kundër nuk i kemi pasur shqiptarët dhe Malin e Zi, por të gjitha fuqitë më të mëdha”, deklaroi ai. /Ballkani.info/