“S’ka as CV publike”| Denoncohet emërimi i aktivistit të VV-së në krye të ndërmarrjeve publike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot edhe zyrtarisht ka emëruar Valon Prebrezën si udhëheqës të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.

Në vendimin e Ministres Rizvanolli të datës 22.05.2023, thuhet se Prebreza kompetencat dhe përgjegjësitë e tij i ushtron në pajtim me dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe se këtë pozitë do të mbajë deri në një vendim tjetër.

“Njësia për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike ka për mision monitorimin dhe raportimin e performancës së ndërmarrjeve publike qendrore me qëllim të qeverisjes së mirë koorporative të Ndërmarrjeve Publike:, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Buletini Ekonomik ditë më parë ka shkruar për këtë punësim dhe afërsinë e Prebrezës me Lëvizjen Vetëvendosje. Prebreza është parë i afërt me Vetëvendosjen qysh para ardhjes në pushtet të kësaj partie në vitin 2021.

Sipas fotografive të publikuara në profilin e tij, afërsi shihet të ketë me figura të larta të Vetëvendosjes, si deputeten Fitore Pacolli dhe zëvendësministrin Avni Zogiani. Në shoqërinë e tyre Prebreza shihet edhe në ndeja private e në ditëlindje.

Në disa fotografi, ai shihet edhe brenda zyrave të Vetëvendosjes.

Nga Ministria e Ekonomisë nuk kishte pasur asnjë njoftim zyrtar deri më sot se Prebreza ishte vendosur në këtë pozitë, dhe as në media nuk ishte dërguar ndonjë komunikatë nga ministria në krye me Artane Rizvanollin.

Mirëpo, kjo ishte bërë e ditur në një postim të bërë në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë në Facebook, ku ishte njoftuar për investime në disa ndërmarrje publike në vlerë prej më shumë se 1 milionë euro, në hekurudha dhe në ujësjellës.

“Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe drejtori i ri i Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Valon Prebreza kanë lidhur një varg marrëveshjesh për financimin e projekteve kapitale të hekurudhave dhe ujësjellësit”, thuhej në këtë njoftim.