Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë që institucionet e Kosovës nuk e kanë kuptuar si duhet letrën e mëparshme të cilën ia kishte dërguar presidenti amerikan, Donald Trump, presidentit të vendit, Hashim Thaçit.

“Është për keqardhje se si politikanët nuk e kanë kuptuar se letra e Trumpit ka qenë pasojë e kësaj letre të tanishme – udhëheqja e Kosovës është dashur të dijë ta lexojë”, ka thënë Paçarizi në Info Magazine në Klan Kosova.

“Ne e dimë se veprimi i Kosovës për taksën ka qenë i ngutshëm dhe euforik por ndonjhëerë bëhen edhe veprime te tilla”.

“Paralajmërimi amerikan është një diçka e cila është pritur, disa herë kemi reaguar duke kërkuar sqarime publike. Disa zyrtarë të PDK-së e kanë përmendur rrezikun e prishjes së raporteve me Amerikën pas letrës”.

Paçarizi theksoi se vendosja e taksës doli të jetë një vendim “popullor”, ndërsa kohëzgjatja e taksës sipas tij i tejkaloi të gjitha parashikimet.

“Njerëzit i dhanë mbështetje Haradinajt pa e llogaritur se a ka apo nuk ka pasoja. Kohëzgjatja e taksës është përtej parashikimeve se kam besuar që do të rezistojnë kaq shumë institucionet e Kosovës, por ata nuk e kanë bërë publik presionin amerikan për taksën”.

“Tashmë kanë pushuar arsyet që Kosova të konfrontohet edhe më tutje me një gjë e cila është më shumë embargo sesa një taksë”, përfundoi Paçarizi.