Situatë e rëndë në Britani, ky është numri i të vdekurve nga COVID-19

Në Mbretërinë e Bashkuar, në 24 orët e fundit 674 persona kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në vend në 26.711.

Kryeministri britanik Boris Johnson, i cili është trajtuar pas rezultimit pozitiv me COVID-19, mbajti konferencën e tij të parë për shtyp që pas kthimit në detyrë transmeton ballkani.info

Në fjalën e tij, Johnson falënderoi Qendrën Kombëtare të Shëndetit (NHS) për trajtimin. Ai tha se numri i të vdekurve nga COVID-19 në vend është ngjitur në 26.711, ndërsa numri i rasteve të zbuluara është rritur për 6.033, për të shkuar në 171,253. Kryeministri britanik theksoi se gjatë ditës janë kryer 81.611 testime, ndërsa numri i përgjithshëm i testeve të kryera në vend arrin në 901.905.

Johnson tha se një valë e dytë në pandemi do të shkaktonte dëme të përhershme ekonomike, kështu që ai tha se qeveria duhet të hapë gradualisht ekonominë. Siç tha Johnson, mbajtja e maskave do të jetë e dobishme në procesin e heqjes së kufizimeve. Johnson vuri në dukje se qëllimi i qeverisë është të shpëtojë jetë në gjithë vendin dhe të zvogëlojë dhimbjen e shkaktuar nga kjo pandemi. Qeveria britanike dje në numrin e përgjithshëm të viktimave nga COVID-19 shtoi 3.811 persona që kanë ndërruar jetë në azile.

Qeveria britanike në etapën e parë kishte paraparë përhapje të kontrolluar të virusit për “fitimin e imunitetit kolektiv”. Ajo u tërhoq nga ky plan pas raportimeve dhe shqetësimeve se numri i të vdekurve mund të shkojë në mbi 300 mijë. Vendi më 23 mars kufizoi daljen e qytetarëve në rrugë dhe mbylli bizneset, me përjashtim të marketeve dhe farmacive.

Në Britani nga koronavirusi janë prekur edhe princi Charles më 25 mars, si dhe kryeministri Boris Johnson dhe ministri i Shëndetësisë Matt Hancock më 27 mars. Boris Johnson u shtrua në spital më 5 prill pas vazhdimit të simptomave, ndërsa një ditë më vonë u vendos në kujdes intensiv. Më 9 prill, ai u largua nga kujdesi intensiv, ndërsa tri ditë më vonë, më 12 prill, u lirua nga spitali. Ndërkaq, princi Charles dhe ministri Hancock u shëruan pa pasur nevojë për trajtim në spital. /Ballkani.info/