Situata në aeroportin e Kabulit vazhdon të jetë e rëndë, ndalohen gjitha fluturimet

Situata në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit është shumë e brishtë dhe zyrtarët amerikanë po e shqyrtojnë të evakuojnë gjithë amerikanët e të lënë afganët prapa, raporton “CBS News”.

Vendimi për të braktisur aleatët afganë ende nuk është marrë, ka treguar korrespodenti i CBS-së, David Martin, por “është opsion” dhe do të shqyrtohet nëse trupat amerikane nuk marrin nën kontroll aeroportin.

Të hënën, trupat amerikane kanë vrarë dy afganë të armatosur që ishin pjesë e turmës që kishin pushtuar aeroportin. Ndërkohë raportohet se tre persona kanë vdekur pasi janë rrëzuar nga aeroplani. Agjencia AP madje ka raportuar se në total kanë vdekur 7 persona gjatë kaosit të evakuimit.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të mbajë konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë për situatën në Afganistan. Konferenca është paraparë të mbahet rreth orës 21:45.

Pentagoni ka njoftuar se gjithë fluturimet ushtarake dhe civile nga dhe për në aerportin e Kabulit janë ndaluar, është thënë nga zëdhënësit e Pentagonit.

Është e paqartë se kur do të rikthehen fluturimet. Trupat amerikane po punojnë për të siguruar aeroportin.

Raportohet se kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së është takuar me zyrtarë të lartë të talebanëve, duke u kërkuar atyre që të mos ndërhyjnë në evakuimet e SHBA-së nga aeroporti i Kabulit, ka thënë një zyrtar i mbrojtjes i SHBA-së për agjencinë “AP”.

Mësohet se në takimi e të dielës në Doha të Katarit, gjenerali Frank McKenzie ka arritur marrëveshje me talebanët që ata të mos ndërhyjnë në evakuime.

Forcat amerikane ende po punojnë për të siguruar aeroportin.

E organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International ka kërkuar që të veprohet për të evituar strategji të mëtutjeshme.

“Ajo që po jemi dëshmitarë është tragjedi që është dashur të parashihej dhe evitohej. Duhen veprime të shpejta e vendimtare nga komuniteti ndërkombëtar. Mijëra afganë janë në rrezik serioz nga shtypjet e talebanëve – nga akademikët e gazetarët e deri te aktivistët e shoqërive civile dhe mbrojtësit e të drejtave të grave – janë në rrezik të braktisen në një të ardhme thellësisht të paqartë”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard.