Situata e sigurisë dhe zgjedhjet në veri, temë mes EULEX-it dhe NATO-s

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark ka njoftuar se sot ka pasur një takim të shkëlqyer me shefen e operacioneve aktuale të NATO-s, Ariella Viehe.

Temë diskutimi ishte situata e sigurië në Kosovë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

“Një diskutim i shkëlqyeshëm me shefen e Operacioneve Aktuale të NATO-s, Ariella Viehe, në lidhje me situatën e sigurisë në Kosovë pas krizës së vitit të kaluar dhe në dritën e zgjedhjeve komunale në 4 komunat veriore”, shkroi ai në Twitter.

“Diskutuam edhe për bashkëpunimin e ngushtë mes EULEX-it dhe NATO-s”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës, janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Keqardhjen për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje e kanë shprehur dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.

Lista Serbe – e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.