Sistemi i drejtësisë i cenuar nga ndërhyrjet politike

Autoritetet në Kosovë nuk mendojnë se sistemi i drejtësisë në vend është pre e ndikimeve politike ashtu siç është thënë në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) mbi të Drejtat e Njeriut.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, tha të enjten se në vazhdimësi ka kërkuar nga prokurorët dhe gjyqtarët që të punojnë të pavarur dhe të mos u nënshtrohen ndikimeve nga jashtë. Ai tha se nuk e ka lexuar ende raportin e Departamentit të Shtetit dhe gjetjet e prezantuara aty.

“Kam kërkuar edhe nga prokurorët dhe gjyqtarët që mos të bien pre, viktimë e këtyre sulmeve politike që mund të bëhen nga kushdo qoftë, sepse sot kanë vërtetë kushte të mira. Sot i kemi prokurorët dhe gjyqtarët që paguhen më së shumti në rajon, kemi bazë ligjore shumë më të fuqishme sesa në të kaluarën për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe mendoj se nuk kemi arsye për t’u frenuar e ndalur në luftë kundër kësaj dukurie negative”, tha Tahiri.

Ministri Tahiri tha po ashtu se do të ndërmarrin hapa konkret në drejtim të parandalimit të ndikimeve të mundshme në sistemin e drejtësisë.

“Ju keni parë edhe deklarata të ndryshme të individëve të politikës që e godasin Prokurorinë dhe gjyqësorin dhe një luftë e tillë sadopak ndikon në demotivimin e punës”, tha Tahiri.

Publikimi i raportit të DASH-it ka nxitur edhe reagimin e presidentit të Kosvës, Hashim Thaçi. Përmes një shkrimi në Facebook, Thaçi ka potencuar se të gjitha ngecjet që janë identifikuar në këtë raport duhet të merren seriozisht nga institucionet e Kosovës dhe të punohet me dinamikë më të madhe në përmirësimin e tyre.

“Ne duhet ta vazhdojmë luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe t’i garantojmë të drejtat e qytetarëve të të gjitha komuniteteve tona, si vlera mbi të cilat e kemi ndërtuar shtetin tonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tash, por edhe në të kaluarën, nuk është në dijeni që politika ka ndikuar në punën e prokurorëve.

“Nuk kemi ndonjë informacion që dikush ka ardhur ka njoftuar për ndonjë rast që dikush ka tentuar të ndikojë në një rast të caktuar”, tha Hyseni.

Sipas tij, raportimet e shumta të rasteve gjyqësore në media, po krijojnë përshtypjen edhe të ndikimeve, duke nënvizuar se për rastet gjyqësore duhet të raportohet e flitet vetëm në seanca gjyqësore.

“Ndoshta pak ka (ndikuar) edhe situata ku diskutimi i çështjeve të ndryshme penale në opinion po duket që është edhe si lloj ndikimi sepse e kam thënë edhe më herët e po them edhe tani, çështjet penale dhe çështjet e vendimeve të gjykatave e të prokurorëve duhet të diskutohen në salla të gjykimeve e askund tjetër”, tha Hyseni.

Nga ana tjetër, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se politika dhe grupet e interesit, kanë prodhuar një sistem të drejtësisë, i cili në vend që të prodhojë drejtësi dhe siguri juridike, është shndërruar në mekanizëm persekutimi për individë të caktuar në emër të luftës kundër korrupsionit, si dhe mjet efikas për të ofruar pandëshkueshmëri dhe amnisti për zyrtarë të caktuar brenda sistemit të drejtësisë, politikës dhe grupeve të interesit.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për Radion Evropa e Lirë, se sistemi i drejtësisë dhe vet Kosovës është shteti i kapur nga politika dhe grupet e interesit.

“Politika e mban peng sistemin e drejtësisë, politika e ka shndërruar sistemin e drejtësisë respektivisht sistemin prokuorial si degë të sajën. Ajo cka është interesante kohëve të fundit është se pikërisht ato politika të pushtetit ekzekutiv të cilët bëjnë shkelje sistematike dhe janë të përfshirë në afera korruptive kërkojnë nga qytetarët, nga publiku që për këto shkelje të raportojnë në Prokurori, në hetuesi e kur tash publikisht është e ditur që hetuesia dhe Prokuroria janë në shërbim të kësaj qeverisje”, tha Miftaraj.

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut në botë vëren një numër problemesh në Kosovë gjatë vitit 2018, ndër to korrupsion në strukturat qeveritare, kërcënime e dhunë ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të pakicave nga forcat e rendit, si dhe kthimin e personave që përmbushin standardin e refugjatit në vendet e origjinës.

Raporti nënvizon pos tjerash se strukturat e gjyqësorit mbeten pre e ndikimeve politike, dhe se sistemi është i mbingarkuar gjë që ndikon negativisht tek të drejtat e të pandehurve për një gjykim të shpejtë.

Departamenti i Shtetit vëren në analizën e tij se autoritetet në Kosovë shpesh nuk vënin në zbatim vendimin e gjykatës, përfshirë edhe të Gjykatës Kushtetuese, sidomos në rastet kur vendimi ishte në favor të pakicave. Problemet me drejtësinë ndërlikohen edhe më shumë nga rastet e korrupsionit në radhët e forcave të rendit.