Sipas statutit të VV’së Albin Kurti duhet të jap dorëheqje kur të bëhet kryeministër

Tanimë janë numëruar thuajse të gjitha fletëvotimet nga Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve. Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë partia më e votuar dhe do të ketë iniciativën e formimit të qeverisë së re.

VV’së i duhet gjithsesi edhe një parti tjetër në mënyrë që të formojë shumicën në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Mirëpo është thuajse e sigurtë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të jetë kryeministër i vendit.

Megjithatë, sipas statutit të këtij subjekti, që është i publikuar në formë elektronike në websajtin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kurtit do i duhet që të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë.

Sipas nenit 73.3 të statutit të Lëvizjes, nëse Kryetari i Lëvzjes Vetëvendosje! zgjidhet kryeministër, jep dorëheqje nga pozicioni i Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje!.

Kështu, në rast se Kurti zgjidhet kryeministër dhe jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Lëvizjes, detyrën e këtij të fundit në Lëvizjen Vetëvendosje e merr nënkryetari i parë, raporton Gazeta Express.

Sipas nenit 74.3.ç: Në rastet kur Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! jep dorëheqje, shkarkohet nga detyra ose nuk mund ta kryejë më detyrën e tij, Nënkryetari i parë i ushtron të gjitha kompetencat e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme.

Nënkryetari i parë i këtij subjekti është Besnik Bislimi.

Zgjedhjet në këtë subjekt politik mbahen me parimin një aktivist, një votë, raporton Gazeta Express.

Vlen të përmendet se ishte pikërisht posti i Krytarit të Lëvizjes që dërgoi deri në përçarjen e këtij subjekti në vitin 2017. 12 deputetë të këtij subjekti, të udhëhequr nga Dardan Molliqaj, nuk ishin në gjendje të pranonin kandidaturën e Kurtit për kryetar dhe u larguan duke krijuar subjektin e tyre.

loading…