Sipas Qalajt Sveçla ia ka huqur: Sulmi terrorist ka target civilët, jo ushtrinë e policinë

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se sulmi mbi policët në veri të Kosovës nuk mund të quhet “sulm terrorist”. Qalaj ka shtuar se një sulm terrorist quhet vetëm mbi civilë e jo mbi njësitet policore.

“Kur të flasim për deficionin për terrorizëm duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nuk ka definicion shumë të saktë. Por të gjitha e kanë një element të përbashkët. Që targeti duhet të jetë popullata civile. Pra targeti duhet të jetë civili e jo polici apo ushtari. Nuk janë shqetësuese për mua ato iriça. I kemi parë midis Prishtinës. Për mua shqetësuese janë gjuajtjet me armë në policë. Deri më tani kemi 31 dëshmorë në Polici, e shumë prej tyre janë prej armëve të zjarrit”, ka thënë ai në T7.

Tutje ai ka folur edhe për rrugët që janë përdorur për kontrabandë në veri. Qalaj ka thënë se Policia vazhdimisht ka mbyllur këto rrugë, por ato janë rihapur më vonë.

“Rrugët janë mbyllur në vazhdimësi. Por janë hapur kohë pas kohe. Policia patrullon atje rregullisht”.

Qalaj po ashtu cek se sulmi me shumë gjasë ka ndodhur nga njerëz brenda territorit të Serbisë, të cilët kanë mundur të largohen më lehtë përsëri duke kaluar kufirin.