Sipas IKD-së, korrupsioni u luftua pak më 2022

Lëndët e pazgjidhura u shtuan për 314, e korrupsioni mbetet sfidë. Kështu sistemi i drejtësisë po konsiderohet se nuk ka shënuar rezultatet e pritshme për luftimin e kësaj dukurie.

Të paktën kështu thotë raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ku u potencua edhe fakti se nga 98 personat e akuzuar për korrupsion gjatë 2022-ës, veç 8 janë të profilit të lartë, raporton Klan Kosova.

“Prej këtyre 8 personave që janë akuzuar për korrupsion si persona të profilit të lartë, vetëm një prej tyre është akuzuar gjatë kohës sa ka qenë zyrtarë, ndërsa 7 të tjerë kur të njëjtit e kanë përfunduar funksionin e tyre për çka akuzohen.” u shpreh, Gëzim Shala, Hulumtues i lartë në IKD.

Ai tha se vitin e kaluar Prokurori i Shtetit ka zgjidhur lëndët e 826 personave, derisa ka pranuar 1140 të tilla. E më së shumti aktakuza ka ngritur Prokuroria Speciale me 25 të tilla, pas saj vjen ajo Themelore e Prishtinës me 19, ndërsa, numrin më të ulët të të akuzuarve për korrupsion e ka Themelorja e Ferizajt që ka veç 3.

“Përgjithësisht provat, janë deklaratat e palëve, kontrata, raportet e policisë, dëshmitarë, e të tjerë, dhe nëse në bazë të këtyre provave shohim natyrën e hetimit atëherë del se Prokuroi i Shtetit më shumë po bën hetim administrativ në rastet e korrupsionit se sa një hetim penal.” tha tutje Shala.

Një tjetër shqetësim që IKD e ngriti është ai për vjetërsinë e lëndëve aktive në gjyqësor.

“IKD gjatë monitorimit ka gjetur raste të korrupsionit për të cilat aktakuza është ngritur qysh para 14 vitesh. Pra, ka aktakuza të cilat janë ngritur qysh nga viti 2009.” deklaroi hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana.

Këtu u tha edhe se politika ndëshkimore në rastet e korrupsionit, që shumicën e herëve përfundon veç me gjobë, përçon mesazh negativ tek qytetarët.