Sinjal i mirë/ Delegacioni francez në Kosovë, MPB: Të dyja palët u pajtuan se janë plotësuar kushtet për vizat

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla priti sot në takim një delegacion nga Franca, me ç’rast edhe një herë bëri thirrje që të hiqet sa më shpejt regjimi i vizave për qytetarët pasi Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kushtet.

Ky takim u realizua me rastin e takimeve e shkëmbimeve të rregullta në kuadër të marrëveshjeve bilaterale me shtetin e Francës.

Këtë radhë delegacioni nga Franca ishte i përbërë nga zyrtarë të lartë nga Ministria e Jashtme dhe Evropë dhe Ministria e Brendshme, me ç ‘rast janë zhvilluar takime teknike punuese me ministritë tona përkatëse në fushën e bashkëpunimit policor, luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, menaxhimit të migrimit, azilit, liberalizimin e vizave, frankofoninë dhe marrëdhëniet bilaterale.

Përveç bashkëpunimit me Republikën e Francës në fushën e sigurisë, përgjatë këtij takimi, ministri Sveçla dhe ekipet teknike të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës prezantuan të arriturat tona në luftimin e krimit dhe korrupsionit, luftimin e kontrabandës me migrantë, si dhe për bashkëpunimin me Francën në fushën e ripranimit dhe riatdhesimit.

Të dyja palët u pajtuan që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për viza dhe ka shënuar progres në vazhdimësi në fushat përkatëse si riatdhesimi, siguria e dokumenteve, rendi publik e luftimi i krimit të organizuar e korrupsioni si dhe të drejtat fundamentale njerëzore.

“Franca është jashtëzakonisht e kënaqur me bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informatave në fushën policore e të migracionit. Ky proces tashmë ka hyrë në fazën finale dhe po diskutohet në formatin e Grupit për Viza të Këshillit të BE-së. Si Republikë e Kosovës kërkuam përmbylljen sa më shpejt të procesit të liberalizimit të vizave meqë qytetarët tanë e meritojnë”, ka thënë Sveçla.