Sindikatat e Shëndetësisë kërkojnë dorëheqjen e ministrit Latifi

Ka rrjedhur në publik një draft i Ligjit të pagave. Bazuar në këtë draft që ka përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme, disa kategori kanë shprehur mospajtim me reagim të tillë të koeficienteve.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka reaguar ashpër ndaj këtyre publikimeve duke hedhur akuza ndaj Ministrit të Shëndetësisë.

Syla ka kërkuar madje edhe dorëheqjen e ministrit Latifi pasi sipas tij ai po qëndron indiferent në raport me mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë.

“Shprehim indinjatën tonë të thellë se ju si Ministër nuk reagoni për ngritjen e mirëqenies së punëtorëve shëndetësor. Andaj nga ky moment pasi që ju jeni apatik ndaj kërkesave tona do të kërkojmë edhe dorëheqjen tuaj”, thuhet në reagimin e kryetarit të FSSHK-së.

“Z. Ministër, ju keni ardhur tërësisht me një demagogji se si do të bëhet shëndetësia pas 30 vitesh, por duke e parë që ju nuk e keni interesimin as më të vogël për shëndetësi ose veproni ose ikni”, deklaroi tutje Syla.