Sindikata e Re e KEK-ut ka thirrur të gjithë punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të marrë pjesë në një protestë të planifikuar më 24 tetor 2024.

Protesta do të zhvillohet në ora 11:00 para zyrave të KEK-ut në Prishtinë, me qëllim kërkimin e realizimit të disa kërkesave të rëndësishme që lidhen me përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave.

Sindikata ka njoftuar se, megjithëse më 18 tetor pati një takim me menaxhmentin e KEK-ut për të diskutuar kërkesat e punëtorëve, nuk u arrit asnjë marrëveshje konkrete. Kërkesat kryesore të sindikatës përfshijnë rritjen e pagave në bazë të inflacionit dhe tregut të punës, pagesën e fundjavës për punëtorët me ndërrime, dhe pagesën për rrezikshmërinë për ata që punojnë në kushte të rrezikshme.

Kryetari i Sindikatës, Nexhat Llumnica, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në këtë protestë, duke theksuar se vetëm me angazhimin e përbashkët mund të sigurohet respektimi i të drejtave dhe përmirësimi i kushteve të punës së punëtorëve të KEK-ut. /Demokracia.com/