Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së sot në mbledhjen e radhës së Kryesisë dhe Këshillit Drejtues unanimisht vendosi që t’i jap edhe një mundësi dialogut social në vend të masave dhe veprimeve sindikale, në këtë rast që përmes Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës t’i drejtohet Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi dhe Bordit të SHSKUK-së për mbështetje në kërkesën për anulimin e urdhëresave të jashtëligjshme, diskriminuese dhe që kanë elemente të përdorimit të standardeve të dyfishta në raport me komunitetet tona nga SHSKUK / QKUK.

“Sigurojmë opinionin e gjerë dhe anëtarësinë që e mbështesim plotësisht reformën dhe secilën përpjekje të menaxhmentit të SHSKUK / QKUK-së për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, mirëpo konsiderojmë që këto urdhëresa nuk kanë ndonjë efekt pozitiv në arritjen e këtij objektivi, ndërsa të njëjtat vetëm se e rrisin edhe më tej mbingarkesën me punë për infermierët si dhe duke e zhvendosur fokusin e infermierëve nga kujdesi dhe zhvillimi i veprimtarisë infermierore në fushën administrative”, thuhet në komunikatë. 

Më tej thuhet se konsiderojnë që partnerët social brenda secilës ndërmarrje duhet që të gjejnë mënyra dhe konsensus në të mirën e përgjithshme, në këtë rast të SHSKUK / QKUK-së me Shoqatën Sindikale të Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së dhe infermierët, e që gatishmëria jonë nuk mungon për të gjetur zgjidhje lidhur me kontestet.

Secila palë jemi këtu për shërbim, e jo për sundim dhe ndarje të privilegjeve, pasi privilegj duhet të ketë vetëm qytetari/ pacienti i cili kërkon shërbime në institucionet tona. 

Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së mbetet e përkushtuar në krijimin, ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit, mbështetjen e reformave dhe iniciativave për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve duke e ofruar mbështetjen e plotë.