Sindikalistët e Telekomit pas marrjes së parave nga Devolli: Avdullah Hoti nuk e bëri asnjë reagim, nuk do rrimë duarkryq

Kryetari i Federatës Sindikale të punëtorëve të PTK-së, Lamih Balaj e ka cila cilësuar si plaçkitije bllokimin e xhirollogarive dhe tërheqjen e parave nga kompania e Blerim Devollit.

Në një bisedë për GazetaBlic, Balaj ka theksuar se do të ndërmarrin veprime, gjersa ka akuzuar kryeministrin Hoti për mosreagim.

“Të hënën do t’i bëjmë publike veprimet e sindikatës, të cilat do të jenë ose futja në grevë ose organizimi i protestave. Kjo që ka ndodhur dje brenda Telekomit, është një plaçkitje që na është bërë. Ne nuk do të biem më pre e premtimeve të kota e boshe që na janë bërë deri më tani nga zyrtarët shtetëror se gjojase do ketë marrëveshje e gjëra të tilla. Tashmë do të ndërmarrim veprime sepse kjo është duke ndodhur e garanton falimentimin e Telekomit”, ka thënë ai për GazetaBlic.

“Kryeministri Hoti dhe disa zyrtarë të tjerë janë angazhuar se do të arrijnë marrëveshje por një gjë e tillë jo vetëm që nuk ka ndodhur, por është e çuditshme që nuk ka ardhur asnjë reagim nga ana e tyre pas grabitjes që ua bëri dje kompania e Devollit, xhirollogarisë së Telekomit. As kryeministri Hoti e asnjë zyrtarë të tjerë të qeverisë nuk reaguan fare për atë që ka ndodhur dje. Kjo gjë është e çuditshme. Por, po e ripsëris që ne si Sindikatë e Telekomit, nuk do të biem më pre e premtimeve nga zyrtarët shtetëror. Derisa nuk do të ketë ndonjë gjë konkrete në letër, ne nuk do t’i ndalim veprimet tona sindikale për shpëtimin e Telekomit. Qeveria si aksionare e vetme në Telekom, nuk do ishte dashur të qëndrojë indiferente për atë qe ka ndodhur dje”, ka thënë Lami Balaj.

Ndërkaq, në një konferencë për medie, Menduh Abazi, drejtor i Departamentit për Relacion me Publik në Telekom, ka thënë se gjithçka është kthyer në pikën zero, derisa ka kërkuar ndihmën e Qeverisë në kthimin e mjeteve nga Dardafoni.

Ai ka shtuar se me tërheqjen e mjeteve nga Dardafoni është rrezikuar shteti i Kosovës, pasi të gjitha agjencitë janë të lidhura me Telekomin e Kosovës.