Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) sot më 22.07.2025 ka mbajtur konferencë për media për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre rreth siç thanë ata, mospagesës së stafit të këtij televizioni, për shkak të ngërçit në Kuvendin e Kosovës, për moskonstituimin e legjislaturës së nëntë. 

Gëzim Bimbashi, kryetar i kësaj sindikate këtë situatë e quajti alarmante dhe tha se në rast se kjo gjendja nuk përmirësohet rrezikohet funksionimi i televizionit. 

Ai tha se nga ky bllokim nuk po mbesin pa paga deputetët dhe zyrtarët shtetërorë. 

“Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit dhe mosveprimit të tyre, RTK-ja është bllokuar. Megjithëatë mund ta themi qartë se nga ky bllokim nuk mbesin pa paga deputetët dhe zyrtarët shtetërorë, por punëtorët e RTK-së edhe pse e kanë buxhetin e ndarë me ligj nuk po mund t’i marrin pagat e tyre për të cilat edhe punojnë”- tha ai. 

“Nëse kjo gjendje vazhdon, mbi 700 punëtorë mbesin pa paga dhe rrezikohet seriozisht funksionimi i televizionit publik dhe ne jemi të obliguar të marrim masa të tjera sindikale. Nëse buxheti nuk alokohet RTK-ja rrezikon të shuhet komplet nga transmetimi” – shtoi Bimbashi.

Ai theksoi se, sindikata do të presë reagim deri më 05.08.2025 dhe në rast se nuk ka alokim të mjeteve buxhetore, do të ketë edhe grevë të punëtorëve. 

“Sindikata e Punëtorëve pret nga institucionet shtetërore afatin deri më datë 5 të këtij muaji, që të alokojnë mjetet sipas obligimeve ligjore, pra deri më 5 gusht. Nëse kjo nuk do të ndodhë që ne presim të ndodhë se është kërkesë ligjore e jona, është e drejtë e jona paga. Si paralajmërim për këto veprime të mëtejshme, përveç protestës do të hyjmë edhe në greva. Ne do të dalim në protestë fillimisht, pastaj do të vazhdojmë edhe me greva.” – potencoi Gëzim Bimbashi.

Ai ndër të tjera shtoi se u bëjnë thirrje partive politike dhe institucioneve që RTK-ja të mos shihet si interes politik.

“Sindikata e Punëtorëve u bën thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të mos e përdorin RTK-në për interesa politike. Por ta mbrojnë atë si pronë publike dhe si një ndër shtyllat e Demokracisë” – u shpreh ai. 

Edhe Fisnik Durguti, sindikalist, tha se secila qeveri që ka ardhur në pushtet ka premtuar që do të rregullohet statuti i këtij institucioni publik, por që sipas tij nuk ka pasur vullnet.

“Megjithatë duket fare qartë se nuk ka pasë vullnet politik që asnjëherë të rregullohet çështja e Radio Televizionit të Kosovës” – deklaroi Durguti.

Kurse kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një konferencë për media më 21.07.2025 ka thënë se sipas Ligjit për Buxhet, buxheti i RTK-së ndahet sipas vendimit të Komisionit për Buxhet të Kuvendit të Kosovës.

“Këto janë problemet kur ne kemi institucionet që kanë dalur nga Kuvendi i Republikës, i cili ngelet i pa konstituuar dhe rrjedhimisht edhe Qeveria kur do të ndihmojë, është e penguar” – ka deklaruar Kurti. /Kallxo