Ish-kryetarja

Sinani i kundërpërgjigjet Arifit: Me sulmet ndaj Kosovës fsheh dështimet si kryetar

Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka mohuar të gjitha akuzat e kryetarit aktual të kësaj komune Shqiprim Arifi, se ajo është një servile e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe se është Kurti ai që po përçan shqiptarët në Luginë.

Sinani në një intervistë për KosovaPress ka thënë se Arifi “duke e sulmuar Kosovën gjithmonë ka fshehur dështimin e tij”. Këshilltarja politike e Kurtit ka akuzuar Arifin se vazhdimisht po e kritikon vetëm Kosovën dhe asnjëherë Serbinë.

“Ne politikanët e Luginës së Preshevës duhet të jemi bashkë kundër diskriminimit të Serbisë. Kryetari në ikje i Komunës së Preshevës është për keqardhje, sepse realisht nuk është as kryetar komune e as kryetar partie. Prej 24 tetorit nuk ka shumicë dhe kuvendi është i shpërbërë. Zakonisht, vazhdimisht kritikon Kosovën dhe asnjëherë Serbinë. Ai do të kishte qenë mirë ta kishte detyrën e vet për kryetar komune për këta tetë vjet sa ka qenë kryetar komune. Gjendja në Komunën e Preshevës është përkeqësuar çdo ditë e më tepër. Ky, duke e sulmuar Kosovën, gjithmonë ka fshehur dështimin e tij si kryetar komune në ikje. Realisht, është humbës i katër proceseve zgjedhore radhazi, rezultati i fundit i zgjedhjeve parlamentare e dëshmon. Është tregues i qartë se me 940 vota në komunën e Preshevës e më pak në ato të Bujanocit e Medvegjës, është një sinjal shumë i qartë i sovranit preshevar që ky nuk ka legjitimitet. Dhe që nga 28 nëntori nuk ka arritur për këta muaj të mbajë seancë dhe me rezultatet e fundit të 17 dhjetorit ky ka marrë dënimin më të madh nga qytetarët e Luginës së Preshevës”, ka thënë Sinani.

Shqiprim Arifi më herët pati deklaruar se qeverisja e Ardita Sinanit u ka trashëguar disa problematika, të cilat kanë qenë edhe ligjore e më pas janë ballafaquar edhe në gjykata, teksa në një intervistë për “KosovaPress”, ai e akuzoi kryeministrin Albin Kurti për përçarje të spektrit politik në Luginën e Preshevës. Gjithashtu, ka thënë se në asnjë nga takimet që kryeministri Kurti ka mbajtur me përfaqësuesit e Luginës, ai nuk ka qenë i ftuar.

Lidhur me këtë, Sinani ka thënë se akuzat e Arifit janë të pavërteta dhe të pabaza.

Ajo ka shtuar se në proceset më të rëndësishme dhe vendimmarrëse për Kosovën, Arifi kritikon qeverinë dhe kryeministrin, e asnjëherë Beogradin zyrtar.

“Të gjitha deklaratat e tij janë të pavërteta, si ndaj neve politikanëve të Luginës së Preshevës e posaçërisht ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës. Asnjëherë nuk kritikon Beogradin, asnjëherë nuk kritikon Serbinë, dhe të gjitha akuzat në proceset më të rëndësishme dhe vendimmarrëse për Kosovën ai del kritikon Qeverinë dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës… Zotëri Arifi ka qenë i ftuar në disa takime nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht nga kabineti i kryeministrit Kurti. Ai nuk iu ka përgjigjur ftesës së Qeverisë dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto akuza janë të pavërteta dhe të pabaza”, ka thënë Sinani.

Për sa i përket zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi, Sinani ka thënë se Arifi mori përgjigjen më të mirë nga qytetarët, duke e bojkotuar procesin zgjedhor.

Këshilltarja politike e shefit ekzekutiv, Ardita Sinani ka thënë se lista me të cilën kishte garuar Arifi, bënte thirrje për bojkot e distancim nga Republika e Kosovës, e sipas saj asnjëherë ndaj asaj të Serbisë.

Sinani ka thënë se partitë politike në Luginë të Preshevës po veprojnë në kushte diskriminimi shtetëror dhe në gjendje të rëndë socio-ekonomike.

Ajo ka shtuar se Beogradi zyrtar synon që shqiptarët e Luginës të jenë sa më pak të organizuar dhe sa më të përçarë, andaj kanë nevojë për më shumë cilësi, organizim dhe angazhim, në mënyrë që të bëjnë pluralizmin e politikës shqiptare karshi Serbisë.

BONUS VIDEO: Hyseni i PSD-së: Ardhja në Qeveri, Kurtin e ka ndryshuar tërësisht