Simiq: Qeveria pa Listën Serbe është antikushtetuese

Nënkryetari i Listës Serbe dhe bartës i listës zgjedhore të këtij subjekti politik në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, Igor Simiq, ka thënë se subjekti i tij politik ka fituar zgjedhjet në mjediset me shumicë serbe dhe tashmë ka të drejtën e garantuar me të gjitha aktet juridike të Kosovës, që të propozojë anëtarët për Qeverinë e Kosovës.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ai thotë se “synimi për t’ia hequr të drejtat popullit serb dhe në vend të përfaqësuesve legalë dhe legjitim në Qeveri, Prishtina të fusë serbë më të pranueshëm, është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore dhe me Kushtetutën, si dhe paraqet gabim të njëjtë, sikur se që e kanë bërë serbët në vitet ‘90, duke marrë në institucione shqiptarë të përshtatshëm”.

“Ajo qeveri do të ishte jokushtetuese, si dhe një sjellje e tillë do të tregonte fytyrën e vërtetë të liderëve politikë, të cilët e kanë gojën plot me sundim të ligjit”, ka thënë Simiq.

Ai ka shtuar se do të ishte cinike që dikush që ka fituar 26 për qind të votave të bashkësisë së tij, të vë në pikëpyetje pozitën e Listës Serbe, e cila ka marrë 96 për qind të votave të bashkësisë serbe.

Gjithashtu sipas tij, pozitën e përfaqësuesve të Listës Serbe ua ka besuar populli me votë dhe nuk e presin atë si dhuratë nga kushdo.

“As neve nuk na pëlqejnë përkrahësit e idesë shqiptaro-madhe, por ne nuk mund të zgjedhim se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët, sepse për ketë vendosin fqinjët tanë, shqiptarët”, tha Simiq.

loading…