Nënkryetari

Simiq: Masat e paralajmëruara nga Prishtina do ta rrezikojnë jetën e serbëve

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq ka thënë sot se masat shtesë të paralajmëruara nga Kosova do ta rrezikojnë mbijetesën dhe ekzistencën e qytetarëve serbë.

Por përveç kësaj ai ka thënë se këto masa do t’i rrezikojnë edhe shqiptarët, shkruan Most.

Sipas tij këto veprime të Prishtinës dërgojnë mesazhe direkte që serbët nuk janë të dëshiruar në Kosovë.

“Në këto koka të nxehta  nuk mund të parashikoni se çfarë është duke ndodhur dhe se cilat do të jenë lëvizjet e radhës të cilat do ta rrezikojnë paqen dhe sigurinë në të gjitha pjesët e Kosovës e Metohisë, në forma direkte”, ka thënë Simiq.

Sipas tij ndalimi i hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë është një prej masave që mund të ngritë tensione.

“Nuk ka një zyrtar serb që ka ardhur këtu dhe që  nuk ka bërë thirrje për paqe, vetëpërmbajtje dhe shmangie të të gjitha provokimeve të Prishtinës. Në anën tjetër, paqja s’ka alternativë. Nuk ka asnjë mundësi që serbët të pranojnë shtypje dhe t’u kërcënohet mbijetesa e tyre fizike”.