VAR-i

Simeone shpërthen në akuza rreth skandalit të VAR-it në Spanjë: Mendojnë se ne jemi budallenj

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka reaguar në konferencë për shtyp në lidhje me publikimin e audiove të sistemit VAR të fitores me shumë polemika 3-2 të Real Madridit ndaj Almerias.

“Është kaq e vështirë… sepse në varësi të cilës anë e vendos veten, ka situata të ndryshme. Gjyqtarët kalojnë një moment presioni, VAR-i përmirësohen, por e vërteta është se i ekspozon. Pastaj mund të diskutojmë nëse audiot janë në rregull. Çështja nuk është se i publikojnë audiot, por çfarë ndodh në to… Ata mendojnë se ne jemi të gjithë budallenj dhe kjo na acaron”, tha Simeone në një konferencë për shtyp para duelit me Sevillan.

“Ajo për të cilën kemi nevojë të gjithë, është që gjërat të jenë natyrale. Të gjithë mund të bëjmë gabime, askush nuk është i përsosur. Por natyrshëm, gjithçka rrjedh. Por kur nuk janë të natyrshme, të gjithë nervozohen. Gjyqtarët janë në kolaps, është një moment shumë i komplikuar për ta dhe ajo që mund të bëjmë është të heshtim dhe të luajmë. Është e vetmja gjë që mund të bëjmë ne”, theksoi Simeone rreth situatës së kohëve të fundit.