“Simbol i krenarisë”, përurohet ura që kushtoi 4 miliardë dollarë

Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina ka inauguruar një urë historike mbi lumin Padma pas vitesh vonese për shkak të akuzave për korrupsion.

Akuzat e detyruan Bankën Botërore të largohej nga mega-projekti gati 4 miliardë dollarë, i cili do të lidhë kryeqytetin e Bangladeshit Dhaka me rajonin e  pazhvilluar veriperëndimor të vendit.

Hapja e urës më të gjatë të Bangladeshit deri më sot, e cila është quajtur “simbol i krenarisë” shënon një rast të rëndësishëm në historinë e kombit të Azisë Jugore.

Ndërtimi i urës 6.15 km filloi në nëntor 2015 për të lidhur 21 rrethe të rajonit veriperëndimor të vendit me Dhakën nëpërmjet rrugës dhe hekurudhës, duke shkurtuar në këtë mënyrë kohën e udhëtimit në mënyrë të konsiderueshme.

Zakonisht duhen 15 deri në 22 orë për të mbuluar një distancë prej 180-300 km midis rretheve të rajonit veriperëndimor dhe Dhakës.

Ura e çelikut me dy shtresa përfshin një autostradë me katër korsi së bashku me një hekurudhë.

Me një kosto ndërtimi prej 3.87 miliardë dollarësh, ky është një nga mega projektet më të mëdha që Bangladeshi ka ndërmarrë ndonjëherë dhe e gjithë shuma financohet nga qeveria e Bangladeshit.

Në vitin 2012, Banka Botërore ishte tërhequr nga një marrëveshje kredie prej 1.2 miliardë dollarësh për projektin pas akuzave për korrupsion.

Pas kësaj, donatorë të tjerë, duke përfshirë Bankën Aziatike për Zhvillim (ADB) dhe Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), gjithashtu u tërhoqën nga projekti.

Hasina, e cila udhëhoqi përpjekjet për ndërtimin e urës, deklaroi se qeveria e saj do ta financonte vetë projektin.

Vendimi i saj u përball me skepticizmëm nga ekonomistët e vendit si dhe nga kundërshtarët politikë pasi Bangladeshi nuk kishte ndonjë përvojë në ndërtimin e një mega-infrastrukture të tillë pa mbështetje financiare nga donatorë shumëpalësh.

“Ne i kemi treguar botës se mundemi”, tha Hasina./Abcnews.al/