Sihana Shalaj – kosovarja që shkëlqen për Pradën FOTO

Disenjatorja e modës Miuccia Prada e ka një aftësi për t’i zbuluar supermodelet e së ardhmes.

Disa nga figurat që dikur ishin të panjohura dhe arritën famë botërore në sfilatat e Prada-s, janë Arizona Muse, Lindsey Wixson dhe Karolina Kurkova, shkruan telegraph.co.uk.

Për sfilatën pranverë/verë 2020 në Javën e Modës në Milano ka qenë radha e modeles Sihana Shalaj.

Shalaj është një 22 vjeçare me origjinë nga Kosova që e kaloi një pjesë të fëmijërisë së saj të hershme në një kamp refugjatësh në Shqipëri pas shpërthimit të luftës në vitin 1998.

Ajo dhe familja e saj u kthyen në Prishtinë sapo përfundoi lufta, në mënyrë që babai i saj mjek të mund të rifillonte profesionin e tij.

Pavarësisht faktit se familja e saj nuk ishte e pasur, ata bënin një jetë të zakonshme ku Sihana zhvilloi brenda vetes dashurinë për fotografinë dhe modën.

Falë pamjes së saj të pazakontë dhe stilit të veçantë ajo nisi të paraqitej në sfilatat lokale të modës, për të kaluar më vonë edhe jashtë kufijve të Kosovës.