Yevgeny Ipatov, një i ri rus, ishte torturuar deri në vdekje nga oficerët e Policisë në një stacion, pasi ishte arrestuar nën dyshimin për një vjedhje.
Para se të vdiste ai kishte incizuar një video mesazh e që është transmetuar tash së fundmi në mediat sociale, ku ai tregon për torturat në burg.
Ipatov kishte bërë një video, që u publikua së fundmi dhe kishte treguar për torturat çnjerëzore që ia kishin bërë oficerët e Policisë.
Pas publikimit të videos, kryeprokurori i Territorit të Krasnodarit, Sergei Tabelsky, njoftoi fillimin e një hetimi për vdekjen e Yevgeny Ipatov.
“Është hapur një çështje penale për nenin për shpërdorim detyre, kryer me dhunë ose shkaktim të pasojave të rënda (pjesa 3 e nenit 286 të Kodit Penal)”, tha kryeprokrurori.
Ai madje ishte i ashpër shumë me dështimin e shtetit për ta hetuar një vdekje kaq misterioze.
“Vendi ka kohë që ka ecur përpara, bota ka ecur shumë përpara, por metodat dhe mjetet kanë mbetur të njëjta. Ku janë aftësitë tona mjekoligjore, laboratorët, të paktën mendja jonë? Fatkeqësisht, kjo nuk është ende kudo”, tha Tabelsky.
Më herët, redaktorët e Novaya Gazeta transmetuan një video në të cilën Yevgeny Ipatov, një elektricist 25-vjeçar nga Adler, flet për torturat në departamentin e policisë së Soçit. Videos i është bashkangjitur një shënim ku thuhet se i riu ka vdekur.
Policia e Soçit konfirmoi për Novaya Gazeta se më 22 shtator, Ipatov u dërgua në stacionin policor, u mor në pyetje si dëshmitar në rastin e vjedhjes (pjesa 3 e nenit 158 të Kodit Penal) dhe u lirua. Pas largimit nga stacioni i riu ka marrë me qira një dhomë në një shtëpi private.
Kur në dhomë ka hyrë zonja, e cila i kishte dhënë banesën me qira të riut, ka parë gjak kudo dhe ka lajmëruar menjëherë policinë.
Më 29 shtator, trupi i Ipatov u gjet nën një tren në rrugën Khosta-Adler. Të afërmit mësuan për vdekjen e të riut vetëm dy javë më vonë. Asnjë nga të afërmit nuk e panë trupin e Ipatov. Ai u varros në një arkivol të mbyllur. Në morg, familjarëve iu dha vetëm një certifikatë vdekjeje, ku tregohej shkaku i vdekjes: “amputimi traumatik i kokës”; “Një këmbësor i plagosur nga përplasja me trenin”. Nuk janë dhënë as rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.
Familjarët e të riut iu drejtuan mbrojtësve të të drejtave të njeriut për ndihmë ligjore. “Komiteti kundër Torturës” tha se departamenti hetimor vendor i Komitetit Hetimor refuzoi të niste një çështje sipas Kodit Penal (nxitje në vetëvrasje) për shkak të mungesës së një ngjarjeje kriminale.







