Si u mundua Kurti t’i gënjejë kongresistët amerikanë? Kryeministri i bënë të dyshojnë se opozita mund të mos e mbështesë marrëveshjen MCC, Kosovë – ShBA

“… duhet ta pranoj që është e trishtueshme që nuk do të jemi ne, unë me zonjën Rizvanolli, për t’u ballafaquar me opozitën”.

Kjo është deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë – ShBA, që shënon paraqitjen e tij në mënyrë skandaloze para përfaqësuesve të Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit të ShBA-së dhe para anëtarëve të Kongresit, shkruan Demokracia.com.

Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë – ShBA, nikoqir i së cilës ishte kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Kurti nuk ka folur si një lider shtetëror, por si një zyrtar partie.

Ai, duke qenë i papërgjegjshëm për rolin e tij si përfaqësues i një shteti, është munduar t’i gënjejë publikisht kongresmenët amerikanë dhe përfaqësuesit e Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit të ShBA-së, në një ceremoni që po transmetohej drejtpërdrejt në televizion.

Në fjalën e tij, pasi ka njoftuar se marrëveshja do të paraqitet për miratim në Kuvendin e Kosovës menjëherë të enjten e 28 korrikut, kryeministri Kurti ka shpikur “ballafaqimin me opozitën”, duke lënë të kuptohet se opozita në Kosovë do të kërkojë debate e sqarime për këtë marrëveshje.

“Kam kënaqësinë që t’iu informoj se marrëveshja që po nënshkruajmë sot do t’i prezantohet Kuvendit (të Kosovës) për ratifikim që nesër (e enjte). Edhe pse duhet ta pranoj që është e trishtueshme që nuk do të jemi ne, unë me zonjën Rizvanolli, për t’u ballafaquar me opozitën. Por, besoj se edhe ata nuk do të jenë shumë të kënaqur që nuk jemi ne aty”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, është e trishtueshme që ai do të mungojë në seancën e Kuvendit të Kosovës për t’u ballafaquar me opozitën për këtë marrëveshje.

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, ballafaqimi ka për qëllim që të “vë ballë për ballë dy veta për të nxjerrë në shesh të vërtetën; krahasoj dy gjëra, dy veta, për të zbuluar dallimet”.

Shpikja e ballafaqimit me opozitën për marrëveshjen Kosovë – ShBA është tendencë e kryeministrit të Kosovës për ta prezantuar Kosovën në mënyrë të gabueshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi opozita aktuale, nuk ka shfaqur asnjëherë dyshime të tilla.

Është lehtësisht e kuptueshme se opozita e sotme përbëhet nga partitë politike që rrugëtimin për çlirimin, pavarësimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës e kanë bërë bashkë me ShBA-në, derisa Albin Kurti protestonte kundër të gjitha këtyre proceseve.

Të mërkurën pasdite, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Kongresin amerikan, ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, Kryeshefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice P. Albright dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nënshkruan marrëveshjen për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, prej të cilave 202 milionë dollarë sigurohen nga MCC dhe rreth 35 milionë dollarë nga Qeveria e Kosovës, kurse programi do të përqendrohet në projekte të energjisë. /Demokracia.com/