Si u kërcënua me vrasje polici nga Gjakova për shkak të një gjobe

Një zyrtar policor ka raportuar se është kërcënuar në rrjete dociale nga një person i dyshuar.

Rasti ka ndodhur në fshatin Meqë të Gjakovës, mesditën e së martës.

I dyshuari i ka dërguar mesazhe zyrtarit policor, duke e kërcënuar me vrasje. Po ashtu, ai ka caktuar një vendtakim, ku i ka thënë se është duke e pritur

Sipas burimeve të Express brenda Policisë së Kosovës, motivi dyshohet të jetë një gjobë e shqiptuar para disa javësh nga zyrtari policor, ndaj një familjari të të dyshuarit.

Policia ka kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacionet e frekuentuara nga ai, por nuk ka arritur ta gjejë. Kësisoj, i dyshuari gjendet ende në arrati.

Ndryshe, lidhur me këtë rast ka njoftuar edhe policia përmes raportit 24 orësh.

“KANOSJE NDAJ PERSONIT ZYRTAR-Fsh. Meqe, Gjakovë  02.11.2021 – 13:45.  Viktima mashkull kosovar ka raportuar se përmes rrjeteve sociale nga i dyshuari mashkull kosovar ka pranuar thirrje telefonike, ofenduese  nënçmuese dhe kërcënuese me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij. Rasti është duke u hetuar”, ka bërë të ditur policia.