Si u bart koronavirusi nga Ferizaj në Han të Elezit?

23 raste janë konfirmuar sot me koronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se rastet e konfirmuara janë nga Ferizaj, Hani i Elezit, Prizreni e Prishtina.

Kryetari u Hanit të Elezit , Rufki Suma ka sqaruar se i infektuari me COVID-19 është rast kontakti me personin që ka vdekur ditë më parë nga fshati Sazli i Komunës së Ferizajt.

“Po ne u njoftuar nga IKSHP më saktë nga Naser Ramadani. Ai më tregoi që një banor i Hanit të Elezit ka dalë pozitiv ndërsa personi i prekur ka pasur kontakt me personin e ndjerë nga Sazlia e Komunës së Ferizajt”, tha Suma.

Ai shtoi se të dy kishin punuar në bashku në Bondsteel.

“I prekuri me coronavirus dhe viktima nga Ferizaj kanë punuar së bashku në Bondsteel me kamiona. Personi i infektuar në komunën tonë ka njoftuar policinë dhe QKMF-në se ka pasur kontakt me personin dhe se pastaj sipas udhëzimeve ka qëndruar në izolim në shtëpinë e tij. Unë bisedova me të më herët dhe i tregova se është i infektuar pasi që nuk e ka ditur dhe unë e udhëzova që të qëndroj prapë në izolim deri në këshillat tjera apo udhëzimet e reja nga ana e IKSHP-së”, tha Suma.

E kryetari i Ferizajt Agim Aliu tha se 18 rastet janë kontakte të shoferit të Kampit Bondsteel i cili ka ndërruar jetë ditë më parë si pasojë e infektimit me koronavirus.

“Kjo tregon më së miri për kujdesin që duhet të kenë qytetarët në atë që ne po themi në respektimin e udhëzimeve të institucioneve shëndetësore, sepse ja një rast i vetëm shpërthen dhe paraqiten edhe 18 raste tjera”.

Aliu thotë se Instituti i Shëndetit Publik sot ka marrë 38 mostra në Ferizaji dhe për fat të keq 18 prej tyre kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

“Ndryshe i ndjeri ka pasur kontakte me gjithsejtë 48 persona”, tha ai.

I pari i Ferizajt ka thënë se masat më të mira për të luftuar coronavirusin COVID-19 është qëndrimi në shtëpi.

“Ajo që ndodhi sot është dëshmia më e mirë e asaj që kemi thënë se këto dy javët do të jenë më të vështirat në luftë me coronavirusin”, tha ndër të tjera Agim Aliu.

Deri më sot 250 raste janë regjistruar me coronavirus. Nga këto raste 52 janë shëruar dhe janë shënuar 7 viktima.

Hani i Elezit sot i është shtuar hartës me të prekur me koronavirus.