Si të trajtoni skuqjen mes kofshëve dhe në zonat intime

Disa tema janë të sikletshme për t’u biseduar me familjen, madje dhe doktorin dhe një prej tyre janë puçrrat e vogla të kuqe mes kofshëve

Ky problem delikat mund të trajtohet dhe në kushte shtëpie, por para se të kalojmë tek trajtimi le të shohim cilët janë shkaktarët e tij:

Djersitja e tepërt: Veçanërisht në mot të nxehtë, mund të përfundoni me skuqje në këto zona.

Fërkimi i tepërt: Nëse vishni të brendshme të ngushta ose jeni mbipeshë, atëherë është fërkimi i tepërt shkak për këto skuqje.

Një infeksion: Shumimi i mikrobeve dhe kërpudhave mund të shkaktojë skuqje dhe puçrra në zonat mes kofshëve. Kujdes me higjienën dhe mos i ndani me të tjerët peshqirët, mbathjet, etj.

Sistem i dobët imunitar: Në disa raste, sistemi i dobët imunitar ju bën të cenueshëm ndaj këtij problemi.

Ju shpesh nuk e dini cila është origjina e këtij problemi, thjesht e ndjeni atë. Keni kruarje, bezdi, dhimbje dhe nuk dukeni mirë estetikisht.

Provoni disa nga këto zgjidhje në shtëpi:

Kompresa të ftohta: Një zgjidhje e shpejtë dhe e mirë. Zhysni një peshqir të vogël në ujë të ftohtë dhe vendoseni në këto zona. Do të ndjeni një lehtësim të menjëhershëm, këshillon Living.

Sodë buke: Është shumë e rëndësishme ta ruani këtë zonë të thatë. Pasi të keni provuar këshillën e kompresave më lart, sigurohuni ta thani zonën duke spërkatur pak sodë buke. Do të largojë kruarjen.

Xhel aloe vera: Siguron një qetësim fantastik të kësaj zone. Para se ta aplikoni në lëkurë, lëreni të ftohet pak në frigorifer. Mos e shpëlani pasi të aplikoni aloe-n. Lëreni xhelin për 15-20 minuta.

Vaj i pemës së çajit (i holluar): Nëse u besoni vajrave esenciale, vaji i pemës së çajit është i duhuri për rastin tuaj. Përzieni disa pika nga ky vaj me një lugë çaji ujë. Ka veti të fuqishme antibakteriale, antikërpudhore, antimikrobiale, etj.