Si të kujdeseni për flokët gjatë vjeshtës?

Ashtu sikurse lëkura, edhe flokët dëmtohen në verë si pasojë e rrezeve të forta të diellit apo ujit të detit ose të pishinës.

Për t’i rikthyer në gjendjen optimale, me shkëlqim, të mëndafshta dhe plot me energji, duhet të tregoni kujdes dhe vëmendje, si dhe t’i trajtoni me produktet e duhura kozmetike.

RIPARONI MAJAT E DËMTUARA
Era, uji i detit dhe dielli janë armiqtë kryesorë të flokëve në verë, veçanërisht në qoftë se keni flokë të gjatë. Nëse flokët kanë maja të ashpra, përdorni një produkt që ristrukturon dhe ushqen fibrat e flokëve.

LUFTONI RËNIEN E FLOKËVE
Rënia e flokëve është mjaft e natyrshme. Madje ne humbasim çdo ditë 50-100 fije floku. Përtej kësaj, ne duhet të kujdesemi dhe ta parandalojmë atë. Humbja e flokëve mund të jetë për arsye hormonale, apo të një diete të paekuilibruar, të stresit apo lodhjes, depresionit apo tronditjeve emocionale ose thjesht ndryshimit së stinëve. Këshillojmë përdorimin e suplementeve ushqimore.

LUFTONI THARJEN E FLOKËVE
Flokët e thatë kanë më shumë nevojë për kujdes në vjeshtë. Është thelbësore që të ushqehen në mënyrë që të jenë më rezistente. Këshillojmë përdorimin e maskave ushqyese dhe rigjeneruese. Është ideale të aplikoni në flokë vaj riparues.

DHUROJINI SHKËLQIM
Për t’i dhënë jetë dhe një pamje të shëndetshme flokëve, përdorni qumësht ose vaj pa shpëlarje. Falë përdorimit të tyre, flokët do të kenë më shumë shkëlqim dhe gjallëri.

PËRDORNI SHAMPO TË PËRSHTATSHME
Për flokë të butë dhe me shkëlqim, përdorni shampo të pasur me proteina dhe një balsam të mirë. Ai i ushqen flokët dhe i bën më të butë. Do të arrini rezultat edhe më të mirë, nëse do të aplikoni një serum për majat e thata të flokëve.

JEPUNI VOLUM FLOKËVE
Flokët pa volum janë problem për shumë femra. Për të shmangur këtë shqetësim, ju këshillojmë të përdorni produkte që kanë efektin e rritjes së volumit. Përdorni shampo që u japin volum flokëve apo edhe llak.