Si po i kundërvihen rusët luftës së Putinit

Nga Nina L.Khrushcheva “Project Syndicate”

Moskë – Gjatë Luftës së Dytë Botërore, regjisori i famshëm amerikan Frank Capra realizoi një seri dokumentarësh me titull “Përse luftojmë”. Të prodhuar fillimisht nga Departamenti Amerikan i Luftës si një prodhim me synim trajnimin ushtarak, transmetimi i tyre në kinema kishte për qëllim të bindte amerikanët se koalicioni anti-Hitler kërkonte mbështetjen e tyre dhe se disfata e nazistëve u shërbente drejtpërdrejt interesave amerikane.

Projekti rezultoi të ishte i suksesshëm, edhe pse është e pamundur të matet me saktësi ndikimi i filmit dokumentar. Në Bashkimin Sovjetik, një tjetër palë e madhe në luftë, publiku nuk kishte nevojë për një bindje të tillë, pasi beteja për mbijetesë po ndodhte pikërisht në territorin e tyre.

Por ky nuk është rasti me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Sigurisht, Kremlini dëshiron që ta portretizojë “operacionin e tij special ushtarak” si një luftë patriotike. Por larg brohoritjes së sloganit të Luftës së Dytë Botërore “Lufta jonë është e drejtë; fitorja do të jetë e jona!”, shumë rusë po pyesin se përse po luftojnë në Ukrainë.

Në një sondazh të kryer në janar të këtij viti, rreth 25 për qind e të anketuarve – dhe mbi 60 për qind e banorëve të qytetit dhe të rinjve thanë se nuk e mbështesin luftën. Vetëm 27 për qind e të rinjve të anketuar shprehën mbështetjen e tyre. Dhe kjo normë është e konsiderueshme po të kihet parasysh se jetojmë në një vend ku shprehja e dyshimeve për veprimet e qeverisë mund t’ju vendosë në listën e “agjentëve të huaj” ose më keq akoma.

Shumë rusë të tjerë kanë “votuar” me “këmbët” e tyre: më shumë se 500.000 janë larguar nga vendi që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia. Edhe ata që kanë vendosur të qëndrojnë në vend janë shumë të shqetësuar për të ardhmen e tyre.

Sipas një sondazhi të fundit të Gallup-Romir, 48 për qind e rusëve raportojnë se përjetojnë pasiguri të konsiderueshme financiare, në shkallën më të lartë në 56 vendet e mbuluara nga ky studim. Edhe në mesin e 45 për qind të rusëve që thonë se e mbështesin luftën pa mëdyshje, vetëm 25 për qind e bëjnë këtë në mënyrë aktive.

Për shembull duke u bërë vullnetarë ose duke ofruar ndihmë financiare. Asnjë nga këto nuk është lajm i mirë për Kremlinin, që është përpjekur me dëshpërim të promovojë narrativën e tij të luftës. Presidenti rus Vladimir Putin, pretendon se fushata ushtarake synon jo vetëm të “çmilitarizojë” dhe “de-nazifikojë” Ukrainën, por edhe të parandalojë që Perëndimi të ketë sukses në misionin e tij të supozuar për të shkatërruar Rusinë.

Sipas propagandës së Kremlinit, në rrezik nuk është asgjë më pak se sa “mbijetesa e shtetësisë ruse” dhe e ardhmja e të rinjve të saj. Për më tepër, doktrina e fundit e politikës së jashtme të Rusisë, pohon se vendi po përmbush “misionin e tij unik historik” për të “ruajtur një ekuilibër global të fuqisë” dhe për “të ndërtuar një rend botëror shumëpolar”.

Kjo është propagandë e denjë për Luftën e Madhe Patriotike, siç e quajnë rusët Lufta e Dytë Botërore, dhe publiku po bombardohet çdo ditë me të. Televizioni dominohet nga narrativat e luftës. Parulla të mëdha që mburrin heronjtë e luftës ruse dhe parada tankesh reklamohen nëpër rrugët e Moskës.

“Fitorja do të jetë e jona!” deklarojnë ata në stilin e vërtetë të Luftës së Dytë Botërore, megjithëse lënë jashtë pjesën e parë të sloganit klasik. Sado tronditëse të jetë kjo luftë për Perëndimin, ndikimi i saj atje nuk mund të krahasohet me mënyrën se si ajo e ka përmbysur jetën e rusëve.

Lufta ka sjellë një transformim të papritur, të dhunshëm dhe çoroditës mbi ekonominë dhe shoqërinë ruse. Pavarësisht periudhave të gjata të konfrontimit me Perëndimin, qytetërimi evropian ka qenë gjithmonë pjesë e kodit kulturor të Rusisë.

Por sipas Putinit, Rusia është tani një “qytetërim i pavarur dhe i vetë-mjaftueshëm”. Ndaj kultura evropiane po eliminohet ngadalë nga teatrot dhe muzetë ruse, edhe pse ende jo nga restorantet dhe kafenetë (të cilat janë ende franceze dhe italiane).

Për shembull, drama e shekullit XIX “Cyrano de Bergerac” nga Edmond Rostand, është hequr nga repertori i Teatrit Alexandrinsky të Shën Petersburgut për gjoja diskreditimin e forcave të armatosura ruse.

Natyrisht, një luftë e tillë kulturore nuk është mënyra e vetme me të cilën rusët e zakonshëm po ndjejnë presionin e madh nga “Vëllai i Madh”. Që nga “mobilizimi i pjesshëm” i shpallur shtatorin e kaluar, një oficer policie është vendosur në çdo cep të metrosë në Moskë.

Është e vështirë të pretendosh se nuk ka ndryshuar asgjë në thelb, kur hyrja në transportin publik kontrollohet nga një njeri i armatosur rëndë. E gjithë kjo e ka bërë gjithnjë e më të vështirë për rusët që të vazhdojnë jetën e tyre normalisht.

Në muajt e parë të luftës, bisedat mund të ishin dominuar nga ngjarjet në Ukrainë. Por gjithsesi ishte e natyrshme të shkoje në punë ose të darkoje me miqtë. Ndërsa propaganda e luftës është bërë gjithnjë e më e zhurmshme dhe më këmbëngulëse, jeta e zakonshme ka kaluar në plan të dytë.

Lufta e Ukrainës është tani në vëmendjen kryesore të rusëve, edhe pse jo në mënyrën si dëshiron Kremlini. Në vend se të luftojnë për kauzën “patriotike” të Putinit, rusët po i kundërvihen asaj. Edhe pse nuk janë në gjendje të protestojnë masivisht, e lëre më pastaj ta dëbojnë Putinin nga Kremlini me një goditje të vetme, dëshmitë e luftës së fshehtë të “shumicës së heshtur” janë kudo.

Peredelkino, një fshat më pak se 32 kilometra larg Moskës, është i njohur për terrenin e tij të pyllëzuar, nëpër të cilin shëtisnin shpesh shkrimtarët sovjetikë si Boris Pasternak. Tani, oligarku i profilit të lartë dhe aleati i Putinit, Roman Abramovich, që thuhet se e kundërshton luftën, zotëron një pjesë të madhe të këtij terreni.

Dhe shumë parulla “Jo luftës” janë të shënuara në trungjet e pemëve që rreshtojnë shtigjet pyjore. Në një librari në sheshin qendror të Nevskit të Shën Petersburgut, një ekspozitë librash patriotikë mbi Rusinë ishte stolisur me një imazh të George Orwell dhe mbishkrimin “Le të mendojë Big Brother se në këtë filxhan ka çaj!”.

I frymëzuar nga organizuesi i guximshëm i kësaj lloj proteste, unë e bleva atë simbol proteste, që siç zbulova të nesërmen u zëvendësua me një tjetër. I riu përmbante një citim tjetër nga kryevepra e Orwell “Viti 1984”: “Nëse je pakicë, madje edhe vetëm, kjo nuk do të thotë që je i çmendur”. Ja kështu po e kundërshtojmë luftën e Putinit ne rusët e thjeshtë. Dhe ashtu si në Luftën e Dytë Botërore, askush nuk duhet të na thotë pse. /albeu.com

Shënim:Nina L.Khrushcheva, profesore e Çështjeve Ndërkombëtare në Shkollën e Re, dhe bashkëautore e librit “Në gjurmët e Putinit:Në kërkim të shpirtit të një perandorie në 11 zona kohore të Rusisë”.