Si nisi ideja e Mini-Shengenit

Nisma për krijimin e minishengenit u konkretizua në muajin tetor të këtij viti, pas refuzimit të Bashkimit Evropian mbi hapjen e procesit të negociatave për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në Tiranë sot mbahet takimi i tretë në kuadër të nismës së liderëve të rajonit për krijimin e të ashtuquajturit Mini- Shengeni ballkanik.

Ideja e një bashkëpunimi më të ngushtë të shteteve të Ballkanit Perëndimor ishte iniciuar në një Samit Rajonal në Trieste në vitin 2017, ku vendet pjesëmarrëse ranë dakord për një plan aksion drejt një zonë ekonomike rajonale.

Nisma për krijimin e minishengenit u konkretizua në muajin tetor të këtij viti, pas refuzimit të Bashkimit Evropian mbi hapjen e procesit të negociatave për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Nisma mbetet e hapur për anëtarët e mbetur të gjashtëshes ballkanike, kanë theksuar Zaev, Vuçiq dhe Rama duke ftuar kështu Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën për t`ju bashkuar minishengenit.

Kjo iniciativë synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimin e nyejve ekonomike në rajon. Finalizimi i këtyre objektivave rajonalë pritet të jetë viti 2021.

Sidoqoftë, një nismë e tillë është pritur me debat dhe kritika në opinionin publik dhe një ndër arsyet kryesore është mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ndërkohë që Kosova mban aktive një taksë 100 % ndaj mallrave serbe.

Ndërkaq Kosova ka refuzuar ftesën për t’u bërë pjesë e takimit të radhës. Këto tensione jo vetëm që janë sfiduese në një sens bi-lateral, por në thelb cënojnë idenë e një bashkëpunimi rajonal.

Deri më sot janë mbajtur dy takime mes krerëve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore, përkatësisht në Novi Sad ku dhe u shpall iniciativa e minishengenit dhe në Ohër ku mbledhja shërbeu për thellimin e mëtejshëm të mënyrës së funksionimit dhe qëllimit të kësaj nisme.