Vrasja

Si ju mor jeta 17-vjeçares në Laprakë, shikoni makinën (FOTO)

Gridelda Gjikolaj, vetëm 17 vjeç, humbi jetën dje, teksa u qëllua me një plumb në kokë.

Ajo ndodhej brenda një automjeti Benz E Class me targë AA 266 MS, së bashku me Erion Bengën, 23-vjeçarin me të cilin kishte krijuar një raport dashurie prej disa javësh.

Makina e të dashurit të saj u qëllua disa herë me armë nga persona që tashmë janë identifikuar nga policia e Tiranës, por që ende nuk është bërë arrestimi i tyre. E reja humbi jetën, ndërsa i dashuri i saj Erion Benga, mbeti i plagosur rëndë me një plumb në qafë, por tashmë e ka kaluar rrezikun për jetën.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në zonën e Laprakës, në një rrugicë në errësirë, teksa çifti i të rinjve ishin ngritur nga një lokal ku kishin konsumuar kafe nën shoqërinë edhe të një mikeje tjetër të Griseldës, dhe të dy po largoheshin me automjet për në shtëpi.

Aty janë qëlluar nga persona të maskuar. Autorët kanë qëlluar nga pjesa e pasme e makinës gjë e cila tregohet nga shenjat e plumbave në automjet. Xhami i pasëm i makinës është thyer. Autorët kanë pasur për objektiv Erion Bengën me të cilin kishin debatuar më herët në ambientet e lokalit në bllokun e zonës “Gintash” në Laprakë, pasi dyshohet se kishin ngacmuar të dashurën e tij.