Si është gjendja e nivelit të ujit në rajonin e Prishtinës, flet shefi i Ujësjellësit

Pas disa javëve me reshje shiu, temperaturat kanë shënuar ngritje në ditët e para të stinës së verës.

Këto temperatura, kanë ndikuar në thatësinë e tokës bujqësore dhe rritjen e përdoruesëve të ujit të pijshëm.

Problemi është se uji i pijshëm, përpos përdorimit për pije po vazhdon të shfrytëzohet edhe për nevoja të tjera nga qytetarët e Kosovës.

Shefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, Ilir Abdullahu, e ka konsideruar dukuri të dëmshme keqpërdorimin e ujit të pijshëm, sidomos në stinën e verës kur temperaturat shënojnë ngritje dhe ka rënie të nivelit të ujit.

Në një prononcim për Ballkani.info, Abdullahu ka thënë se Kosova po përballet me thatësi dhe rënie të nivelit të ujit, ashtu sikur pjesët e tjera të regjionit.

“Edhe ne si pjesa tjetër e Kosovës dhe e regjionit, po ballafaqohemi me vazhdimësi të thatësirave duke marrë parasysh se gjatë vitit të kaluar ka pasur reshje të shiut nën mesatare, pra kanë qenë reshje që nuk kanë ndikuar që të kemi ngritje të nivelit të ujit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Abdullahu ka treguar edhe gjendjen aktuale të liqejve të akumulimit të ujit të pijshëm, duke thënë se Liqeni i Badovcit është ndikuar më shumë nga thatësia.

“Niveli i ujit në Liqenin e Badovcit ka rënie më të theksuar për shkak të pellgut dhe për shkak se ka vështirësi në ngritje të nivelit të ujit, ndërsa niveli i ujit në Liqenin e Batllavës, krahasuar me vitet e kaluara është i njejtë”, ka thënë ai për Ballkani.info.

Tutje, Abdullahu ka thënë se duke marrë parasysh se jemi në stinën e verës dhe temperaturat janë kryesisht të larta, shtohet edhe konsumi i ujit të pijshëm por që një përqindje e konsiderueshme e këtij konsumi po keqpërdoret nga qytetarët.

Ai ka thënë se keqpërdorimi i ujit të pijshëm dhe moskontrollimi i konsumit, ka qenë dukuri shqetësuese qysh nga paslufta në Kosovë.

Në fund, Abdullahu ka theksuar se furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë është duke vazhduar, por ka thënë se duhet të kemi kujdes në përdorim të panevojshëm, duke marrë parasysh se dy liqejtë akumulues të Kosovës, varen vetëm nga reshjet e shiut dhe borës. /Ballkani.info