RTK

Si e shpërbleu me kontratë RTK kompaninë e sapothemeluar

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka blerë të drejtat e transmetimit të serialit “Tosta te Suki”, me një çmim total prej 78 mijë euro për 10 episode apo 7,800 euro për një episod. Fitues i thirrjes për produksionet e pavarura, në mesin e 25 aplikimeve është përzgjedhur projekti i Astrit Kabashit, përkatësisht produksioni “Kabashi Production”.

Sipas të dhënave që i ka siguruar KALLXO.com, ky produksion nuk ka qenë i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) në kohën e aplikimit në thirrjen e RTK-së. Projekti “Tosta te Suki” nga Astrit Kabashi ishte zgjedhur fitues nga RTK më 8 qershor 2023 edhe pse nuk ishe fare firmë e regjistruar.

Sipas të dhënave nga ARBK firma “Kabashi Production” ishte regjistruar me 5 korrik 2023, 27 ditë pasi që RTK e përzgjedh si fitues duke mos i lënë kompanitë tjera konkurruese në këtë thirrje të hapur, të drejtën për ankimim.

Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtor i Përgjithshëm i RTK, i cili e kishte nënshkruar vendimin për serialin 7 mijë e 800 eurosh me 29 qershor 2023, nuk e sheh problem faktin që produksioni fitues është regjistruar në ARBK tek pasi që është përzgjedhur nga RTK.

Kontrata në vlerë 78 mijë euro, apo 7,800 euro për një episod ishte nënshkruar më 18 korrik 2023 nga Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit, Zekrija Dushi dhe pronari i kompanisë “Kabashi Production Sh.P.K”, Astrit Kabashi.Ahmetxhekaj ka thënë se “Rregullorja për procedurat dhe kriteret në përzgjedhjen e përmbajtjeve audiovizuale të producentëve të pavarur” nuk e parasheh që Komisioni vlerësues të kërkojë numër fiskal, regjistrim apo çkado tjetër, që del jashtë përgjegjësisë që e përcakton rregullorja.

Sipas tij, Komisioni vlerëson vetëm pjesën përmbajtësore të projektit me të cilin producenti ka aplikuar.

“Pas vendimit të komisionit përzgjedhës me datë 8 qershor 2023, ka vazhduar procedura tjetër e përcaktuar në Rregullore, me Departamentin për Zhvillim dhe Strategji. Pra, pas vendimit të komisionit, Drejtori i Përgjithshëm nuk e nënshkruan vendimin, pasi duhet të bëhet analiza nga Departamenti përkatës” – ka thënë Ahmetxhekaj për KALLXO.com.

Rregullorja në fjalë ka hyrë në fuqi më 10 tetor të vitit 2018. Në nenin 11 të saj tregohet për kriteret e përzgjedhjes së projektit fitues.Në këto kritere flitet për cilësinë e projektit, përmbushja e nevojave të skemës programore; cilësia e skenarit, përmbajtjes, projektit; interesi publik lidhur me përmbajtjen; origjinaliteti i ideve; çmimi, mënyra dhe kushtet e pagesës; shtrirja e të drejtave të cilat jepen; referenca e aktorëve, regjisorët, kameramanët, autorët e skenarëve dhe referenca e producentit.Në këtë rregullore nuk është e përcaktuar nëse produksioni fitues të jetë i regjistruar si biznes në ARBK, por e thotë se kontrata në mes palëve bazohet në procedurat e parapara me Ligjin e Prokurimit Publik.

RTK është institucion publik dhe të gjitha transaksionet e institucioneve publike në Kosovë i nënshtrohen Ligjit aktual të Prokurimit Publik.RTK kishte thënë se “Rregullorja për procedurat dhe kriteret në përzgjedhjen e përmbajtjeve audiovizuale të producentëve të pavarur” aktualisht është duke u amandamentuar, pasi që e njëjta rregullore nuk parasheh as të drejtën për ankesë për aplikuesit që eliminohen nga thirrja.

Drejtori Ahmetxhekaj ka bërë të ditur se pas shkëmbimit të korrespodencave ndërmjet Departamentit për Zhvillim dhe Strategji dhe Komisionit përzgjedhës, atij i është ofruar propozimi final, të cilin edhe e ka nënshkruar.

“Pas këtij vendimi, procesi ka vazhduar tek njësia e prokurimit dhe siç mund ta dini, procedurat për nënshkrimin e një kontrate të negociuar marrin disa ditë kohë. Produksioni në fjalë ka aplikuar konform thirrjes publike të RTK-së, e cila bëhet duke u bazuar në Rregulloren në fuqi” – ka thënë ai.KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit edhe pronarin e produksionit fitues, Astrit Kabashin, për ta pyetur se si i është pranuar aplikimi, pa qenë i regjistruar në ARBK. Por ai është përgjigjur duke thënë se për këtë duhet të pyetet RTK-ja.

“Nuk po të kuptoj kurgjo, të lutem bisedo me televizionin e Kosovës. Për çdo informacion ata të japin info, unë nuk e di çka me të thonë” – ka thënë shkurtimisht Kabashi.KALLXO.com më 19 tetor 2023 ka kërkuar qasje në dosjen e produksionit fitues dhe procesverbalin e mbajtur nga Komisioni vlerësues gjatë procesit të përzgjedhjes. Nga 25 aplikime që janë bërë në thirrjen për produksionet e pavarura, në listë të ngushtë kanë hyrë tri aplikime. Projekti “Tosta te Suki” nga Astrit Kabashi; Projekti “Gjunior Shef’ nga Besnik Leka; si dhe projekti “RTK Screen” nga Xhelal Haliti (Eureka).


Këto tre projekte nga Komisioni vlerësues ishin proceduar tutje te Departamenti për Strategji dhe Zhvillim, i cili department e kishte për detyrë që ta vlerësojë dhe ta rekomandojë me shkrim projektin e përzgjedhur te drejtori i përgjithshëm.Por ky department ka kërkuar nga Komisioni që t’iu dërgohet si propozim vetëm një emër.

Në fund, me shumicë të votave Komisioni vlerësues i përbërë nga Arjana Salaj; Ilir Kabashi; Korab Lecaj; Zana Spahiu – anëtarë dhe Arta Avdiu – kryesuese e Komisionit, kanë përzgjedhur fitues projektin e Astrit Kabashit me titull “Tosta te Suki”.

Ilir Kabashi që ka qenë anëtar i Komisionit vlerësues, e ka mohuar se ka ndonjë lidhje familjare me fituesin e thirrjes, Astrit Kabashin.Në një përgjigje për KALLXO.com, Ilir Kabashi ka thënë se është shqyrtuar qysh në fillim konflikti i mundshëm i interesit në këtë rast.

“Nuk kam asnjë lidhje me të. Ne i shqyrtojmë fillimisht këto para se me ia nisë takimet, afërsinë për konflikt interesi të mundshëm. Unë jam moti aty nëpër komisione si regjisor, edhe nuk jam në asnjë lidhje familjare me të, absolut. Bile as lidhje të gjakut prej së largu nuk e kam” – ka thënë Ilir Kabashi përmes telefonit.

Në thirrjen për produksionet e pavarura, Radiotelevizioni i Kosovës për produksionet që kishin aplikuar, nuk kishte lënë hapësirë për ankesa, edhe pse ka qenë thirrje publike. Arsyetimi i RTK-së ishte sepse ankesat nuk i parashikon Rregullorja për blerjen e veprave audiovizuale.

Sipas Ligjit, RTK është e obliguar që të sigurojë të paktën 15% të programit por jo më shumë se 20%, nga producentët e pavarur vendore në transmetimet radiotelevizive.

Për këtë qëllim ishte hapur edhe Thirrja në të cilën doli fitues propozimi i Astrit Kabashit.Procedura e tenderimit përmes procedurës së negocuar pa publikim të njoftimit për kontratë është hapur më 6 korrik 2023, vetëm një ditë pasi që “Kabashi Production” ishte regjistruar në ARBK si biznes dhe rreth një muaj nga përzgjedhja e tij si fitues nga Komisioni vlerësues.

Ligji i Prokurimit Publik i mundëson Autoriteteve Kontraktuese që të lidhin kontrata përmes procedurës së negociuar nëse plotësohet njëri nga parakushtet e listuara në ligj. Neni 35, pika 2.1 thotë se Autoriteti Kontraktuese mund të përdorë procedurën e negociuar nëse “për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet ti ipet një operatori të caktuar ekonomik”. Ndërsa pika 2.3 e nenit 35 thotë se mund të përdoret procedura e negociuar për “një kontrate të shërbimeve… që pason nga një konkurs projektimi i ushtruar përmes procedurave të hapura ose të kufizuara, dhe që kërkohet , sipas rregullave në fuqi, t’i epet kandidatit të suksesshëm.

”Megjithatë, Ligji i Prokurimit thotë se Autoriteti Kontraktuse, në këtë rast RTK-ja, duhet të ketë rol aktiv në përcaktimin e kushteve, në vecanti çmimit të shërbimit.

“Ekzekutimi i një procedure të negociuar pa publikimin e njoftimit të kontratës në asnjë mënyrë nuk e liron autoritetin kontraktues nga detyrimi i tij që (i) të luajë një rrol aktiv në përcaktimin e kushteve të kontratës, veçanërisht sa ka të bëjë me çmimet, afatet e pranimit, sasitë, karakteristikat teknike dhe garancionet, (ii) të sigurojë që çmimi i kontraktuar nuk është më i lartë se çmimi përkatës i tregut, dhe (iii) të vlerësojë me kujdes kualitetin e produktit, shërbimit ose punës në fjalë”, thuhet në pikën 3 të nenit 35 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Por, RTK-ja nuk kishte rol aktiv në përcaktimin e çmimit për këtë serial. Sipas dosjes së marrë nga RTK, kontrata në mes palëve është nënshkruar në vlerë prej 7 mijë e 800 euro për episod apo 78 mijë euro për 10 episoda në total, aq sa kishte kërkuar produksioni.

Gjithashtu, KALLXO.com me 19 tetor 2023 ka kërkuar qasje në dosjen e ofertave të aplikuesve të tjerë, për të parë se aplikuesit a kanë dorëzuar certifikatën e regjistrimit në ARBK, gjatë aplikimit në thirrje.

RTK deri në publikimin e shkrimit nuk ka ofruar qasje në ato dosje, pasi që ka konsideruar se nuk kemi të drejtë.Për këtë KALLXO.com i është drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), si organ mbikëqyrës i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe është në pritje të përgjigjes.

Kontrata në mes RTK-së dhe produksionit fitues është nënshkruar më 18 korrik 2023, që i bie 13 ditë pas regjistrimit të produksionit si biznes. Vlera e kontratës është 78 mijë euro dhe vlen për 6 muaj.