Hasan Krasniqi

Si e prezantonte VV’ja Kryeshefin e KRU “Gjakova”, që po raportohet se u arrestua në Bullgari

Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, sipas raportimeve të mediave, është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar ndaj tij nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Sipas gazetës online Repoteri.net, arrestimi i Krasniqit ka ndodhur qysh me 19 shkurt 2024. Ky medium raporton se ai është kapur nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut, meqë rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

Hasani ka qenë para dy vjetësh kandidatë për asamblenë Komunale të Gjakovës nga Lëvizja Vetëvendosje. Një biografi e tij është e publikuar në faqen e Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, raporton Express.

Aty thuhet se Hasani me profesion është Ingjinier i Makinerisë, derisa përmendet se është veteran i UÇK-së.

Aty figuron se Hasani zotëron edhe një biznes privat në Gjakovë që nga viti 1990, derisa thuhet se ka ushtruar detyrën e kryetarit të Shoqatës të Transportit në Gjakovë për dy mandate (2000-2008), pastaj ka mbajtur edhe pozitën e kryetarit të Shoqatës së Transportit të Kosovës (2008-2012).

“Angazhimin e tij politik Hasani e ka filluar duke iu bashkuar partisë “Alternativa”. Ai ishte zgjedhur asambleist në Kuvendin Komunal të Gjakovës gjatë mandatit të parë qeverisës të znj. Mimoza Kusari- Lila. (2014 – 2017). Gjatë mandatit të tij në asamble ai ka qenë anëtar i Komitetit për Politik dhe Financa”, thuhet në faqen e VV’së.

Si asambleist i zgjedhur Hasani synon të kontribuojë në zhvillimin e ndërmarrjeve publike lokale në Gjakovë. Gjithashtu, do angazhohet në zhvillimin e turizmit, mbrojtjen e ambientit, investime në infrastrukturën sportive dhe nxitjen e të rinjëve e të rejave për të zhvilluar aktivitete sportive. Hasani në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Asamble Komunale mban numrin 14”, thuhet në postim.

BONUS VIDEO| “Ikje e përgjegjësisë dhe gafë e madhe” – Opozita kritikon Kurtin për mospjesëmarrje