Si e përgatitën terrenin për zhvatjen e kosovarëve me afro 7 mln euro për tiketa ngjitëse Aliu e Durmishi duke e përdorur Izedin Bytyqin

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu para më shumë se një muaji e ka anuluar vendimit e marrë më 2019, që e ndalonte vendosjen e taksës prej 5 eurove për secilin automjet që regjistrohet në Kosovë.

Ky vendim është marrë nga sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Izedin Bytyqi, i cili mban datën 7 qershor 2021, e përmes të cilit anulohet vendimi i kësaj ministrie i marrë në tetor 2019, kohë kur kjo ministri drejtohej nga Pal Lekaj.

Në vendimin e siguruar nga Blic thuhet se “Anulohet vendimi nr. 1/11756, I datës 04.10.2019 për Anulimin e Raportit nr.07/10612 datë 12.11.2018 të komisionit për vlerësimin e ofertave për shërbimin me ‘Tiketë Ngjitëse”.

Me këtë vendim të Bytyqit, i njohur si person i afërt me LDK-në, i cili ka shërbyer në këtë pozitë edhe kur Ministria e Infrastrukturës drejtohej nga dy ministra të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Arban Abrashi, po del t’ia ketë bërë “argatin” ministrit të VV-së, Liburn Aliu dhe zëvendësit të tij, Hysen Durmishi.

E ky i fundit, i cili e ka nënshkruar marrëveshjen për tiketën ngjitëse, në disa raste është arsyetuar sikur këtë vendim e ka marrë pasi që paraprakisht është konsultuar me zyrën ligjore të ministrisë dhe atë të kryeministrisë.

Në vendimin e publikuar ditë më parë të zyrës ligjore të Ministrisë së Infrastrukturës thuhet qartë që nuk duhet të vazhdohet me këtë tender, pasi që është anuluar pa u dhënë dhe se për këtë është njoftuar edhe kompania “Auto Kontroll Kosova”.

Në arsyetimin e këtij vendimi, sekretari Bytyqi jep dy arsye. E para ka të bëjë me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe  e dyta, ka të bëjë me Zyrën Ligjore të Kryeministrit të Kosovës.

“Vendimi i datës 04.10.2019 (i cili mban edhe datën 04.11.2019) i marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, i referohet anulimit të Raportit të komisionit të vlerësimit të ofertave për shërbimin me “Tiketë Ngjitëse”, që si akt real nuk mund të anulohet me një akt administrativ (vendim), dhe si i tillë ky vendim bie në kundërshtim me LPPA”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit të sekretarit Bytyqi.

Bytyqi i cili ishte akuzuar nga ish ministrja e Financave, Hykmete Bajrami lidhur me avullimin e 2.1 milionë euro nga thesari i Kosovës, duket se është i paprekur nga njerëzit e VV-së në këtë Ministrinë e Infrastrukturës për shumë arsye. Njëra po del të jetë tiketa ngjitëse, pastaj mbajtja në punë e Nexhat Krasniqit i njohur si “baba i tenderëve” dhe i cili po vazhdon të nënshkruaj tenderë milionësh në MI, person që është dënuar për korrupsion dhe i është ndaluar puna edhe me vendim të Gjykatës Supreme.

Ndryshe, vendosja e taksës prej 5 eurosh nga ana e Ministrisë që drejtohet nga ana e Liburn Aliut ka nxitur reagime të shumta. Opozita e ka akuzuar ministrin Liburn Aliu për vendosjen e kësaj takse, si zhvatje për qytetarët, pasi që llogaritet së dëmi ndaj qytetarëve të Kosovës për çdo vit do të shkojë në afro 2 milionë euro ose afro 7 milionë për tri vjet sa zgjatë marrëveshja ndërmjet kompanisë dhe MI-së.