Si e bën Avdullah Hotin të duket i parëndësishëm në mbledhjen e qeverisë, Kurti dhe ministrat e VV-së

Zëvendëskryeministri i parë, Avdullah Hoti, pjesë e LDK-së, është shpërfillur shumë sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, respektivisht nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e Vetëvendosjes.

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës janë marrë disa vendime si shkarkimi i bordit të drejtorëve të Telekomi, është ndarë buxheti për zgjedhjet në Podujevë, shfuqizimi i vendimit për pagesë të zyrtarëve të Qeverisë pas përfundimit të mandatit dhe të tjera, shkarkimi i disa sekretarëve të ministrine, etj.

Por përveç këtyre vendimeve, ajo që ka rënë në sy është se dy herë me radhë gjatë kësaj mbledhje janë shpërfillur kërkesat e zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hoti.

Fillimisht me propozimin e ministres së Zhvillimit Ekonomik, Rozeta Hajdari që të shkarkohen bordi i Drejtorëve të Telekomit pasi që sipas saj nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre financiare, nuk u pajtua Hoti.

Ai i kërkoi ministres Hajdari të mbledh komitetin ndërministrit për ndërmarrjet publike që të konsultohet në lidhje me këtë vendim.

“Mendoj që është propozim i bazuar, por unë ftoj ministren që të analizojë të gjitha raportet e auditimit të ndërmarrjeve publike sepse gjendja në këto ndërmarrje është ndoshta më keq se këtu. Por unë kërkoj që të mblidhet komiteti ndërministror për ndërmarrje publike si hap i parë për të shqytuar këto raporte dhe t’i rekomandoni qeverisë marrjen e masave”, tha Hoti.

Kërkesa e Hotit nuk u morr parasysh nga kryeministri Kurti dhe ministrat e tjerë dhe u vendos në votim ku edhe bordi i drejtorëve u shkarkua.

E Hoti u shpërfill edhe në rastin e shqyrtimit të kërkesës së Këshillit Qëndror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë.

Ministri i Financave Besnik Bislimi është shprehur se kërkesa e KQZ-së dhe PZAP-së nuk duhet të miratohet siç është pranuar, duke thënë se mjetet për meditje shtesë nuk duhet të ndahen nga buxheti, por vetëm shpenzimet për shërbime dhe mallra.

Zëvendëskryeministri Hoti nuk u pajtua me këtë kërkesë të ministrit Bislimi duke thënë se KQZ si organ i pavarur duhet t’i ketë të gjitha mjetet e nevojshme për të siguruar një proces të drejtë zgjedhor.

“Unë dëgjova me kujdes ministrin e Financave dhe sigurisht e mbështes për kujdesin që tregon ndaj financave publike përveç se thash të kujdesemi si anëtar të qeverisë që të mos japim kualifikime që mund të jenë bindje personale por të pabazuara. Ju e keni autorizimin të veproni si agjent fiskal dhe të jeni të kujdesshëm që shpenzimet të bëhen në përputhje me rregulloren. Duke qenë se KQZ-ja është e pavarur nga qeveria dhe kryen një obligim kushtetues duhet të sigurohemi që t’ia ndajmë mjetet e nevojshme. Unë jam që ne të mbështesim kërkesën e KQZ-së ashtu siç ka ardhur por që ju të kujdeseni se si po shpenzohen këto mjete”, tha Hoti.

Bislimi iu përgjigj Hotit duke i thënë se si ministër nuk do të lejojë askënd që të keqpërdor me paranë publike.

“Për aq kohë sa jam unë ministër nuk kam me leju që dikush me e keqpërdorë. Unë nuk e di qysh ka qenë praktika më herët, propozimi im që kërkoj që të votoni është që të alokohen mjetet për mallra dhe shërbime jo për mëditje shtesë”, ka deklaruar ai.

Në votim, të gjithë ministrat e LDK-së kanë abstenuar, pra nuk e kanë votuar propozimin e ministrit të Vetëvendosjes, Besnik Bislimi. /Ballkani.info/