Smartphone

Si duket një telefon inteligjent i qëndrueshëm?

“Kjo është kamera e telefonit tim”, thotë Bas van Abel, teksa mban ndër duar një komponent të vogël katror.

Sapo e ka hequr atë nga telefoni i tij inteligjent, duke përdorur një kaçavidë të vogël.

“Ka gjithsej tetë komponentë që mund të hiqen dhe zëvendësohen”, thotë ai, ndërsa çmonton me përpikëri të gjithë telefonin, duke e vendosur kamerën së bashku me baterinë, portën USB, ekranin dhe altoparlantin.

Van Abel është bashkëthemeluesi i ndërmarrjes holandeze Fairphone, e cila pretendon se ka ndërtuar “smartphone-in më të qëndrueshëm në botë”.

Por me një produkt kompleks që përmban metale dhe përbërës të rrallë nga e gjithë bota, sa i qëndrueshëm mund të jetë një smartphone?

E themeluar në vitin 2013 në Amsterdam, Fairphone prodhon telefona inteligjentë Android që mund të shkëmbehen, personalizohen dhe riparohen lehtësisht nga pronarët e tyre.

Duke i mundësuar dhe inkurajuar njerëzit që të rregullojnë telefonat e tyre, në vend që t’i hedhin sapo prishet një komponent, Fairphone shpreson të ndihmojë në reduktimin e mbetjeve elektronike.

Mbeturinat elektronike janë rryma e mbetjeve me rritje më të shpejtë në botë. Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, rreth 50 milionë ton mbeturina elektronike prodhohen çdo vit në mbarë botën, duke peshuar më shumë se të gjithë avionët komercialë të prodhuar ndonjëherë.

Dhe vetëm 20 për qind e këtyre mbetjeve riciklohen.

Mali i mbetjeve elektronike po rritet ndërsa kërkesa për pajisje portative dhe telefona inteligjentë rritet.

Deri në vitin 2050, prodhimi vjetor i mbetjeve elektronike do të dyfishohet në 120 milionë ton, sipas Forumit Ekonomik Botëror.

Në vitin 2022, 5.3 miliardë telefona celularë u hodhën, vlerëson organizata jofitimprurëse belge, Forumi WEEE, që analizon mbetjet elektronike.

Në SHBA, njerëzit zëvendësojnë telefonat e tyre çdo 18 muaj mesatarisht, ndërsa modele të reja me veçori të përmirësuara dalin në treg.

Tani shumica e pajisjeve vijnë si njësi të mbyllura që janë jashtëzakonisht të vështira dhe të shtrenjta për t’u riparuar, madje prodhojnë mesazhe gabimi nëse fiksohen komponentët e dëmtuar.

Por Fairphone dëshiron ta thyejë këtë trend duke shitur telefona që kanë një jetë më të gjatë pune.

“Ne i bëjmë telefonat të riparueshëm në mënyrë që të mund t’i përdorni për një kohë shumë të gjatë”, thotë van Abel.

“Është një llogaritje shumë e thjeshtë: nëse e përdor telefonin dy herë më shumë, prodhon gjysmën e sasisë së telefonave dhe gjysmën e sasisë së mbeturinave”.

Projekti Restart, një organizatë jofitimprurëse në Mbretërinë e Bashkuar, vlerëson se rritja e jetëgjatësisë së një telefoni inteligjent me 33 për qind mund të parandalojë emetimet e karbonit ekuivalente me emetimet vjetore të Irlandës.

Sakaq, qëndrueshmëria qëndron në qendër të misionit të Fairphone.

“Ne përdorim 100 për qind plastikë të ricikluar në të gjithë telefonat tanë dhe ar dhe argjend të tregtisë së drejtë”, thotë van Abel.

Por jo të gjitha materialet që gjenden në modelet Fairphone janë të qëndrueshme.

Fairphone 5 përmban 40 materiale të ndryshme, por vetëm 14 materiale janë marrë në mënyrë të qëndrueshme dhe etike.

Dhe vetëm 70 për qind e këtyre 14 lëndëve të para vijnë nga tregtia e drejtë ose burime të ricikluara.

Nxjerrja e elementeve të përdorur nga Fairphone dhe kompanitë e tjera të telefonave inteligjentë ka një ndikim të rëndësishëm mjedisor dhe mund të rezultojë në ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës.

Ekspertët kanë thënë se Fairphone mund të përmirësojë kredencialet e tij të qëndrueshmërisë duke blerë më shumë materiale nga burime të drejta, të certifikuara dhe duke bërë telefona që mund të përmirësohen dhe të riparohen.

Van Abel thotë se Fairphone ka zgjeruar numrin e materialeve që merr nga burime të qëndrueshme dhe etike nga tetë në 14, me plane për të rritur më tej.

Një nga ambiciet e Fairphone është të përmirësojë kushtet etike të punës në të gjithë zinxhirin e furnizimit.

Por pavarësisht ambicieve të tij, Fairphone është ende vetëm një lojtar i vogël në tregun e telefonave celularë.

Që nga dalja në treg, ka shitur rreth 550 mijë pajisje.

Për ta vënë këtë në kontekst, më shumë se 232 milionë iPhone u shitën në mbarë botën në vitin 2022.

Por van Abel thotë se Fairphone po përpiqet të provojë se është e mundur që kompanitë të kenë një fitim duke shitur smartphone të qëndrueshëm.

Megjithatë, qëndrueshmëria vjen me një çmim të lartë.

Modeli i fundit Fairphone kushton 649 paund.

Kjo është pjesërisht sepse Fairphone duhet të ndërtojë gjithçka në shtëpi, sipas van Abel.

“Ne i bëjmë vetë të gjitha përditësimet e software-it, pasi nuk ka asnjë kompani në botë që mbështet telefonat me jetëgjatësi”, thotë ai.

“Ka shumë investime të nevojshme që ne të jemi në gjendje të bëjmë atë që duam”.

Skema e riparimit të Fairphone, megjithatë, është më e lirë se konkurrentët e saj kryesorë.

Po ashtu Fairphone drejton një program riciklimi për telefonat inteligjentë që nuk mund të riparohen më.

Megjithatë, vetëm 30-50 për qind e materialeve mund të rikuperohen në procesin e riciklimit, sipas Fairphone.

Kompania e sheh riciklimin si mjetin e fundit.

Ashtu si shumë pajisje elektronike moderne, telefonat inteligjentë janë të vështirë për t’u ricikluar pasi përmbajnë deri në 70 elementë të ndryshëm.

Pajisjet e holla dhe kompakte që janë ngjitur së bashku janë gjithashtu të vështira për t’u shkëputur në procesin e riciklimit.

Sipas një vlerësimi të industrisë, deri në pesë miliardë telefona celularë mund të qëndrojnë të papërdorur në sirtarë anembanë botës.

Dizajni i shumicës së telefonave inteligjentë i pengon njerëzit t’i riparojnë dhe t’i përdorin ato për aq kohë sa të jetë e mundur.

Telefonat nuk janë të dizajnuar në një mënyrë modulare, të lehtë për t’u çmontuar.

Ndërtimi i telefonave inteligjentë të riparueshëm nuk është një “sfidë teknologjike”, sipas Joe Iles nga Fondacioni Ellen MacArthur, një organizatë jofitimprurëse që kërkon të lehtësojë kalimin në një ekonomi rrethore ku produktet dhe materialet ripërdoren dhe riciklohen sa më shumë që të jetë e mundur.

Risia për të ndërtuar telefona të riparueshëm tashmë ekziston dhe markat kryesore kanë filluar ta adoptojnë atë, thotë ai.

Deri më sot, modeli i shitjeve për pajisje të tilla si telefonat inteligjentë ka synuar të inkurajojë konsumatorët që të përditësojnë pajisjet e tyre çdo dy vjet, shpesh shumë përpara jetëgjatësisë për të cilën janë projektuar.

Ligjet e reja për të drejtën e riparimit që po futen në Evropë dhe SHBA po e ndryshojnë këtë.

Sfida e vërtetë është ndryshimi i modelit të biznesit të industrisë elektronike, thotë Iles.

“Mënyra në të cilën ne i bëjmë gjërat, i tregtojmë dhe i dërgojmë ato…këto zinxhirë furnizimi kanë pasur dekada të tëra optimizimi”, thotë ai.

“Të thyesh atë model biznesi]ose të bësh diçka që kundërshton, ndonjëherë është e vështirë të imagjinohet dhe e vështirë për kompanitë të investojnë në të vërtetë”.

Ndërkohë, marketingu është një tjetër pengesë.

“I gjithë modeli i biznesit bazohet në rritjen dhe shitjen e më shumë telefonave”, thotë van Abel.

“Marketingu ka qenë shumë i mirë për të na shitur gjëra që nuk na duhen vërtet”.

Duhet të ekzistojë një model biznesi që i inkurajon njerëzit të riparojnë telefonat e tyre.

Dhe kjo mund të arrihet nëse kompanitë do t’u ofrojnë konsumatorëve garanci më të gjata për pajisjet elektronike që blejnë ose do t’u ofrojnë pjesë këmbimi, si bateritë dhe ekranet.

Zhvendosja në një model abonimi për elektronikë mund të nxisë gjithashtu kompanitë e teknologjisë që t’i japin përparësi qëndrueshmërisë.

Por bërja e kësaj do të kërkojë ligje dhe rregullore të reja për të ndihmuar në “barazimin e fushës së lojës” dhe për të siguruar që kompanitë të vazhdojnë të bëjnë një fitim ndërsa kalojnë në një model më të qëndrueshëm.

Tanimë disa vende evropiane po punojnë për të luftuar kulturën e flakjes duke e bërë më të lehtë për konsumatorët të zgjedhin produkte të riparueshme dhe të rregullojnë artikujt e prishur.