Si do të faturohen për rrymën tash e tutje katër komunat e veriut

Bordi i ZRRE-së, ka njoftuar të premten se qytetarët e katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – do të faturohen me çmimet që i ofron kompania furnizuese, Elektrosever.

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) miratoi të premten licencën për kompaninë Elektrosever, për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike.

Bordi i ZRRE-së votoi me pesë vota për dhe asnjë kundër.

Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

“Në seancën e nëntë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, sot në datën 24.06.2022 u shqyrtuan dhe u miratuan plotësim/ndryshimet në Rregullën për Vendosjen e Çmimeve të Energjisë Termike; Rregulla për Zhvillimi e Profileve të Ngarkesave në Sistemin Energjetik në Kosovë; Shqyrtimi i dosjes për shpalljen e tenderit të furnizuesit të mundësisë së fundit si dhe janë dhënë 13 autorizime për ndërtimin e paneleve solare për vet-konsum”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së,.

Më tej thuhet se në këtë seancë, pas shqyrtimit të aplikacionit të ndërmarrjes“ Elektrosever”, Bordi i ZRRE-së në përputhje me kërkesat ligjore të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë dhe Rregullës për Licencim të Aktiviteteve në Sektorin e Energjisë si dhe Udhërrëfyesin për zbatim të marrëveshjeve të energjisë të arritur në Bruksel, ka miratuar kërkesës për dhënie të licencës, për furnizim me energji elektrikë për konsumatorët në katër Komunat veriore të Republikës së Kosovës.

“Me dhënien e kësaj licence, pritet fillimi i plotësimit të kushteve të cilat janë paraparë ne marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Bruksel dhe përfundimisht normalizimi i faturimit dhe inkasimit të energjisë së konsumuar. Sot, në ketë seancë Bordi ka shqyrtuar po ashtu edhe disa ankesa të konsumatorëve, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me menaxhimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji. Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE-së”, thuhet në njoftim.

Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.

Licencimi i saj është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e saj është bërë më 21 qershor.

Me këtë marrëveshje është paraparë që konsumatorët në veri ta paguajnë vetë rrymën e shpenzuar.

Nga fundi i luftës, më 1999, deri më 2017, rrymën për ta e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës.

Nga 2017-ta e këndej – për shkak të ankesave të shumta – përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.

Përndryshe, ZRRE-ja miraton çdo vit tarifat për operatorët e tjerë energjetikë.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar më 21 qershor se Elektrosever-i nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë – qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar – ndërsa inkasimin do ta bëjë vetë.

Elektroseveri, rrjedhimisht, mund të marrë apo blejë rrymë edhe nga kompania serbe, EPS.