Si do ta themelojë Kosova Tribunalin Ndërkombëtar për gjenocidin serb?

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka nisur një iniciativë për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.

Madje, ky propozim dhe propozimet e tjera të kryeparlamentarit Kadri Veseli – për formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e këtij tribunali, ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, Muzeun e Dëbimit si dhe Shpalljen e Ditës së Gjenocidit ndaj popullatës shqiptare në Kosovë – do të diskutohen në seancën e nesërme në Kuvend.

Adri Nurellari, këshilltari politik i Kadri Veselit, ka treguar në Info Magazine të Klan Kosovës arsyet kryesore pse ka nisur kjo iniciativë.

“Janë pesë motive kryesore që janë të vlefshme dhe e kanë shkaktuar këtë iniciativë”.

“Së pari është dështimi i drejtësisë ndërkombëtare. Ne kemi besuar dhe shpresuar që qoftë UNMIK-u, EULEX-i, Tribunali i Hagës, presioni ndërkombëtar dhe premtimet që Serbia kishte bërë që t’i hetojë vet kriminelët e rangjeve të ulëta që janë shkaktarët kryesorë të krimeve mizore të bëra në Kosovë – të gjitha kanë dështuar”.

“Po jap një të dhënë të dhimbshme nga Fondi për të Drejtën Humanitare që thotë së të dënuar në Kosovë, nga sistemi ynë i drejtësisë ndonëse kemi qenë viktima, janë 34 shqiptarë, katër serbë dhe një rom, të dënuar në Serbi janë 15 serbë dhe një shqiptar ndërsa në Hagë janë të dënuar gjashtë serbë dhe dy shqiptarë”.

“Në total ka 189 vjet burgim për shqiptarët dhe 29 vjet burgim për serbët dhe kjo është një dështim total. Dikush që vjen pas 30-40 vjetësh këtu do të duket sikur krimet i kanë bërë shqiptarët”.

“Elementi i dytë është që ka tentativa për ta mohuar, riformatuar ose transformuar historinë. Më të freskëtën e kemi ngjarjen e pardjeshme ku në krye të paradës ushtarake të Serbisë ishte një kriminel i dënuar lufte”.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në deklaratën e tij e nxori nga përbrenda atë që beson dhe mendon duke folur me admirim për Sllobodan Millosheviqin”.

“Po shikojmë një përpjekje konkrete dhe shumë të prekshme për ta transformuar dhe fshirë dallimin mes xhelatit dhe viktimës”.

“Së treti është një jubile 20 vjeçar. Jo vetëm që viktimat në këtë 20 vjetor duan dhe kërkojnë drejtësi, por është një moment për të bërë homazh dhe reflektim për të përkujtuar atë që ndodhi”.

“Së katërti është mision edukativ sepse janë breza që nuk e kanë jetuar luftën dhe e marrin lirinë si të mirëqenë prandaj kanë nevojë të kuptojnë sakrificat që janë bërë për këtë shtet”.

“Së fundmi dhe që është më e rëndësishmja, pas aspektit të drejtësisë, është dimensioni i pajtimit. Ne kemi marrë përsipër një proces dialogu ku synojmë dhe kemi objektiv të ndërtojmë një fqinjësi të mirë. Është e pamundur të ketë pajtim pa drejtësi – nuk mund të ketë shërim të plagëve pa e thënë të vërtetën”.

Por, a është kjo iniciativë e vonuar duke marrë parasysh që kanë kaluar dy dekada nga periudha e luftës?

“Në çdo hap që ka bërë Kosova ka mund të ecë edhe më mirë. Për sa i përket në mënyrë specifike drejtësisë ka një lloj justifikimi deri diku”.

“10 vjetët e para të lirisë, ne kemi qenë në protektorat ndërkombëtar ku ishim të kontrolluar dhe me duar të lidhura brenda shtetit tonë. Së dyti kemi pasë pavarësi të kushtëzuar dhe së treti kemi pasë disa nisma ndërkombëtare që i kemi marrë si të mirëqena sepse nuk kemi pasë arsye që të dyshojmë”.

A mund Kosova ta bëjë një gjë të tillë vet – ta krijojë Tribunalin Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë?

“Ne do të përpiqemi, turp të na vijë nëse nuk e shtyjmë përpara. Kosova mund ta shtyjë një gjë përpara sepse jemi në anën e duhur”.

“Nisma e kryetarit Kadri Veseli ka qenë që nesër të nisë punën një Komision Shtetëror që do të angazhohet me këtë gjë dhe më pas janë nismat konkrete të memories kolektive tipike të trajtimit të drejtësisë tranzicionale”.

Nurellari ka thënë se nuk janë injoruar dhe shpërfillur heronjtë e tjerë të mëhershëm.

“Synimi i Muzeut të Gjenocidit dhe Muzeut të Dëbimit është që t’i japin një panoramë të plotë për të thënë se kjo nuk është vetëm rastësi e luftës, por është diçka sistematike”.

“Kryeparlamentari Kadri Veseli e përmendi sot që Muzeu i Dëbimit do të flasë jo vetëm për shpërnguljen masive të luftës së Kosovës, por do ta nisë historinë e vet që me shpërnguljen e Sanxhakut të Nishit në vitet 1877 dhe 1878”.

Ai ka treguar edhe modelet që do të merren për bazë për ndërtimin e Muzeu të Gjenocidit dhe atij të Dëbimit.

“Këto muze – Muzeu i Gjenocidit dhe Muzeu i Dëbimit – e kanë një model. Është përmendur modeli i Yad Vashem në Jerusalem ose ai i Kigalit në Ruanda”.

“Në pesë shtyllat që do t’i ketë Muzeu i Gjenocidit do të jetë aspekti i përkujtimit të tërë etapave të gjenocidit, aspekti edukativ, aspekti hulumtues, aspekti i rëndësishëm i arkivimit dhe dokumentimit dhe aspekti akoma më i rëndësishëm i përgatitjes përtë gjetur shkaktarët dhe për të ngritur padi për ta”.

Këshilltari politik i Kadri Veselit ka mohuar se kjo çështje po bëhet për përfitime politike.

“Duhet ta marrim këtë zotim si shoqëri. Nuk ka arsye për të pasë dikush përfitim politik, le të përfshihen të gjithë në proces dhe le të bëjmë më të mirën sepse ky është interes i Kosovës dhe kombit shqiptar – nuk është interes partiak”.