Kandidati për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar projektin e madh për rikthimin e tregut të gjelbër në qendër të qytetit, duke e cilësuar atë si një hapësirë moderne, funksionale dhe dinjitoze që do t’i shërbejë qytetarëve çdo ditë.

“Tregu i gjelbër po rikthehet aty ku ka qenë gjithmonë, në zemër të Lipjanit – por jo si më parë, jo i improvizuar, jo pa kushte. Ky do të jetë një treg i ri, me standarde, që ofron produkte të freskëta, të shëndetshme dhe të sigurta për qytetarët tanë,” u shpreh Buja.

Projekti, sipas tij, nuk është vetëm ndërtim tregu, por një rikthim i identitetit të qytetit, mbështetje për fermerët dhe prodhuesit lokalë, si dhe një hapësirë komunitare me funksione sociale, edukative, rekreative e kulturore.

Në kuadër të këtij plani, do të ndërtohen edhe parkingje nëntokësore me kapacitet 110 automjetesh, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të liruar hapësirat publike.

“Ky projekt do të krijojë vende pune, do të rrisë cilësinë e jetës dhe do të sjellë më shumë gjallëri në zemrën e Lipjanit. Ky është vizioni ynë – një qytet që ruan shpirtin e tij, respekton qytetarët dhe ecën përpara me plan, vullnet dhe punë,” theksoi Buja.