Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka deklaruar se është pritur me entuziazëm nga banorët e fshatit Gllavicë. Ai ka theksuar se mbështetja e qytetarëve po i jep energji dhe besim për fitoren në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një postim në rrjetet sociale, Buja ka thënë se Gllavica, “e Adem Gllavicës dhe e patriotëve të saj të pathyeshëm”, e ka pritur atë krahëhapur, së bashku me kandidatin për Kuvendin Komunal, Argjendin.
“Mbështetja e fuqishme për PDK-në, për listën tonë fituese dhe për projektin tim politik për Lipjanin më jep energji dhe besim të palëkundur në fitoren që po vjen”, ka shkruar Buja.
Ai ka shtuar se përkrahja e banorëve të Gllavicës është dëshmi e fuqisë së strukturave të PDK-së në këtë komunë dhe e gatishmërisë së qytetarëve për të mbështetur programin e tij.
PDK po zhvillon aktivitetet e saj elektorale në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, ku gara për kryetar të Komunës së Lipjanit pritet të jetë e fortë mes kandidatëve të subjekteve kryesore politike.







