Kandidati për kryetar të Komunës së Lipjanit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Shukri Buja, së bashku me kandidatin për Kuvend Komunal, Herolind Kozhani, kanë zhvilluar një takim me pasardhësit e Sali Rexhës në fshatin Ribar i Madh.

Në këtë vizitë, Buja vlerësoi figurën historike të Sali Rexhës, duke e cilësuar atë si një simbol të sakrificës dhe përkushtimit për atdheun. Ai theksoi se nderimi i figurave të tilla kombëtare do të mbetet pjesë e pandarë e agjendës së tij nëse fiton udhëheqjen e komunës.

“Figura e Sali Rexhës, me kontributin e tij të madh kombëtar, është një kujtesë e gjallë e sakrificës dhe përkushtimit për atdheun. Nderimi dhe vlerësimi i këtyre figurave do të jetë gjithmonë pjesë e agjendës sime si kryetar i ardhshëm i Lipjanit,” deklaroi Buja.

Pasardhësit e Sali Rexhës, të njohur si përkrahës të përhershëm të PDK-së, shprehën mirënjohje për vizitën dhe angazhimin e kandidatëve për të ruajtur trashëgiminë historike dhe vlerat kombëtare.