Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Shukri Buja, ka publikuar një mesazh bashkimi politik dhe kombëtar, duke theksuar se Kosova ndodhet në një periudhë vendimtare.
Përmes një postimi, Buja ka thënë se ishte “kënaqësi dhe krenari” të qëndronte krah për krah me shumë bashkëluftëtarë dhe komandantë të UÇK-së, të cilët sipas tij janë bashkuar për interesin e vendit.
Ai ka deklaruar se Kosova po përballet me krizë, përçarje dhe pasiguri, duke shtuar se në situata të tilla nuk ka vend për interesa personale apo heshtje.
“Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhen burrat dhe gratë që gjithmonë i dolën zot atdheut”, ka shkruar Buja.
Në postimin e tij, ai ka përmendur emra të njohur të ish-strukturave të UÇK-së dhe jetës politike në vend, përfshirë Azem Syla, Rrahman Rama, Sami Lushtaku, Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa, Ramë Buja, Ramiz Lladrovci, Kadri Kastrati, Adem Grabovci dhe Jetullah Geci.
Sipas Bujës, të gjithë janë bashkuar me një mesazh të vetëm: “STOP KRIZËS – NDRYSHO KOSOVËN”.







