Lipjan – Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka shpalosur programin e tij për zhvillimin e sektorit të arsimit, duke e cilësuar atë si një prej prioriteteve kryesore të qeverisjes së ardhshme komunale.
Buja tha se mësimdhënësit dhe nxënësit e Lipjanit meritojnë kushte më të mira pune dhe shkollim cilësor. Ai premtoi investime në shkolla, çerdhe dhe kopshte të reja, si dhe kushte më të mira për punonjësit e arsimit.
“Arsimi duhet të jetë lehtësim dhe jo barrë për familjet. Programi ynë parashikon mbulimin e kostos së shujtave ditore, transportit për nxënës dhe bursave për nxënësit e suksesshëm,” deklaroi Buja.
Sipas tij, PDK-ja do të sjellë një qasje të re në arsim, duke e bërë atë më gjithëpërfshirës dhe më të afërt me nevojat e qytetarëve. Ai ftoi qytetarët e Lipjanit të bashkohen me PDK-në dhe programin e tij, duke theksuar se “fitorja është e jona”.







