Ferizaj

Shuhet zjarri në të gjitha vatrat e përfshira në Ferizaj

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, përmes një njoftimi për media thotë se ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka angazhuar personel të mjaftueshëm në menaxhimin rreth situatës në të cilën ndodhemi, lidhur me përhapjen e disa zjarreve nëpër lokalitete të ndryshme të vendit.

Policia Rajonale e Ferizajt, thotë se po angazhohet me përkushtim në parandalimin e përhapjes së zjarreve, duke koordinuar aktivitetet me institucionet lokale dhe agjencionet tjera përkatëse.

“Policia e Kosovës është angazhuar në mënyrë intensive në hetimin e shkaktarëve të zjarreve dhe të gjithë personat/individët që dyshohen se kanë shkaktuar zjarrvënie të qëllimshme, apo si pasojë e neglizhencës së tyre kanë ndodhur zjarret, do të iniciohet rast penal ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Në rajonin e Ferizajt, kanë qenë disa vatra të zjarreve, por që pas intervenimit nga zjarrfikësit, të gjitha këto zjarre janë shuar. Komunat, në të cilat kanë ndodhur këto raste janë:– Ferizaj : në fshatrat : Mirosale , Surqinë , Saraishtë dhe Gaçkë,– Kaçanik, në fshatrat : Begracë dhe Glloboçicë ,– Shtime, në rrugët ‘’Komandant Kumumanova dhe ‘’Ahemet Shtimja’’ si dhe fshatrat: Carralevë , Devetak dhe Godancë,– Shtërpcë, në fshatrat : Biti e Epërme dhe Firajë .Tani, për tani në rajonin e Ferizajt , nuk kemi asnjë vatër apo lokalitet të përfshirë nga zjarret.

Policia, falënderon të gjithë qytetarët që ndihmuan në shuarjen e disa zjarreve në rajon dhe njoftuan me kohë për përhapjen e disa të tjera zjarreve.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj apelon tek qytetarët të kenë kujdes në përhapjen e zjarreve, të mos i djegin hapësirat fushore, hamulloret . Policia do të jetë e pa kompromis ndaj të gjithë atyre që më qëllim shkaktojnë zjarrëvënie”, thuhet në njoftim.

Policia, kërkon nga qytetarët bashkëpunim që kushdo që ka ndonjë informacion rreth atyre që me dashje kanë shkaktuar zajrrëvënie të lajmërojnë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406