Shtyrja e zgjedhjeve në veri, KQZ nesër mban mbledhje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot mbajti një takim me partitë politike në vend, ku më pas ajo njoftoi se kanë dakord që të shtyhen zgjedhjet në katër komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan.

E pas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër do të mbajë mbledhje, duke filluar nga ora 11:00.

Këtë për Klankosova.tv e ka bërë të ditur, Ilir Gashi, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, i cili shtoi se ende nuk kanë pranuar një vendim të shkruar në lidhje me shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.

“Ne akoma se kemi vendimin, nesër e kemi një mbledhje në ora 11:00, pra Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, zakonisht ne vetëm i respektojmë vendimet e institucioneve relevante dhe sipas të gjitha gjasave, do t’i ndërprejmë aktivitetet tona, konform vendimit të presidents. Por, për momentin nuk kemi vendim të shkruar, nuk e kemi pranuar akoma vendimin”, tha ai.